E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD-ja ndëshkoi dy gjyqtarët e parë, gati materialet për 10 të tjerë



Laureta Rryçi

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ndëshkoi dje dy gjyqtarë. Gjatë mbledhjes së zhvilluar dje në qytetin e Peshkopisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka marrë vendimin për shkarkimin e një gjyqtareje nga Vlora dhe për pezullimin nga detyra dhe heqjen e imunitetit për një tjetër gjyqtar. Anëtarët e KLD-së votuan për shkarkimin e gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë të Vlorës, Mirela Mishgjoni. Vendimi i KLD-së erdhi pasi gjyqtarja në fjalë ka abuzuar me detyrën e saj. Pak para këtij vendimi, KLD-ja mori vendim për pezullimin dhe heqjen e imunitetit të gjyqtarit Vesel Bako. Gjyqtari ishte filmuar duke marrë ryshfet. Shkarkimi i gjyqtares dhe heqja e imunitetit për gjyqtarin i hap rrugë procedimit penal ndaj tyre. Po sot do të diskutohej edhe rasti për gjyqtarin Murat Lleshi. KLD-ja e shtyu procedimin ndaj tij pasi gjyqtari Lleshi nuk u paraqit në mbledhjen e Këshillit.
Iniciativa
Duket se me këto hapa të ndërmarrë, KLD-ja tanimë ka nisur shkarkimet për të gjithë gjyqtarët abuzues.
Në fillim të mbledhjes së sotme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të zhvilluar në qytetin e Peshkopisë, kryetari i këtij këshilli, presidenti Bamir Topi, premtoi luftë të ashpër dhe pa kompromis ndaj korrupsionit në Gjyqësor. Në një mbledhje me dyer të hapura të këtij këshilli, Topi tha se çdo gjyqtar që abuzon me detyrën do të ndëshkohet, dhe për këtë kreu i shtetit ka kërkuar vetëpastrimin e Drejtësisë nga të korruptuarit dhe abuzuesit me detyrën.
Vendimi
Gjatë mbledhjes së djeshme të KLD-së është lajmëruar nisja e një procedimi disiplinor për rreth 12 gjyqtarë të gjykatave të ndryshme në vend, të akuzuar se kanë abuzuar me detyrën. Nga kontrolli i Inspektoratit të Lartë të KLD-së janë gjetur shkelje në dosjet që këta gjyqtarë kanë gjykuar. Gjyqtarët e tjerë të cilët do të merren në shqyrtim janë të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore, Sarandë, Elbasan, të Gjykatave të Apelit Tiranë, Vlorë si dhe të Apelit Ushtarak. Mes gjyqtarëve që do të procedohen nga KLD-ja janë dhe tre gjyqtarët e Apelit Ushtarak, të cilët në 2005-n liruan nga akuzat Mihal Delijorgjin, biznesmenin e arrestuar si një nga përgjegjësit kryesorë për tragjedinë e Gërdecit. Gjyqtarët Shaqir Gradica, Ylli Minka e Naim Pejo do të procedohen për vendimin e datës 17 dhjetor 2007, ku administratori i shoqërisë “Përparimi sh.a”, i shpëtoi akuzës së kontrabandës me mallra të tjerë.

Alibeaj, pro heqjes së imunitetit të gjyqtarit

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, mbështeti gjatë mbledhjes së djeshme kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Mat, Vesel Bako, i cili dyshohet për korrupsion. I pranishëm në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e cila u zhvillua në Peshkopi, ministri Alibeaj u shpreh pro dhënies së autorizimit nga KLD-ja për procedimin penal për gjyqtarin Vesel Bako. Sipas burimeve të Ministrisë së Drejtësisë, brenda kësaj mbledhjeje ministri Alibeaj mësohet të jetë shprehur se "kjo gjë i bën mirë si sistemit të drejtësisë, ashtu dhe gjyqtarit për zbulimin e së vërtetës". Gjithashtu, në fjalën e tij, ministri theksoi se Ministria e Drejtësisë edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të jenë në një valë për sa i takon rrëzimit të imuniteteve.

Topi: “Të ndëshkohen gjyqtarët që abuzojnë”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kërkoi të premten, gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e cila u zhvillua në qytetin e Peshkopisë, ndëshkimin e gjyqtarëve që abuzojnë me ligjin. Me cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Topi premtoi luftë të ashpër dhe pa kompromis ndaj korrupsionit në sistemin gjyqësor. Në fjalën e tij, presidenti Topi tha se, çdo gjyqtar që abuzon me detyrën do të ndëshkohet.
Gjatë mbledhjes së KLD-së, ndër të tjera janë marrë në shqyrtim procedimet disiplinore ndaj dy gjyqtarëve në Vlorë dhe rrethin e Matit, të cilët janë kapur me shkelje nga inspektimet e kryera nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë.

Prokuroria, kërkesë për gjyqtarin që mori ryshfet

Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë autorizim për procedim penal të gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Mat, Vesel Bako, i cili dyshohet për korrupsion. Lajmi u bë i ditur dje nga burime zyrtare pranë kësaj prokurorie, të cilat pohuan se organi i akuzës, përmes një shkrese zyrtare, i ka kërkuar KLD-së heqjen e imunitetit për gjyqtarin Vesel Bako. Nga të njëjtat burime mësohet se çështja në ngarkim të këtij gjyqtari është regjistruar disa ditë më parë në Prokurorinë e rrethit Mat, mbi bazën e informacioneve se dyshohet për veprimtari korruptive. Ndërkaq, materialet denoncuese i kanë kaluar së fundi për hetim Prokurorisë së Lezhës, e cila ishte në pritje të konfirmimit të KLD-së për heqjen e imunitetin të këtij gjyqtari.

25 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›