E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosh: Komision Etike për sistemin gjyqësor



Komisioni e Konferenca Gjyqësore, shtylla të shtetit të së drejtës

Kreu i OSBE-së, apel për forcimin e sistemit të drejtësisë

Ndërkombëtarët kërkojnë ngritjen e një Komisioni të Etikës për gjyqësorin shqiptar. Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, vlerësoi se funksionimi i Komisionit të Etikës si dhe riorganizimi i Konferencës Kombëtare Gjyqësore do të jenë kontribut në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Gjatë një takimi në Shkollën e Magjistraturës, nga radhët e së cilës pritet të emërohen 11 gjyqtarë në vendet e mbetura vakante në gjykatat e vendit, ambasadori i OSBE-së në vendin tonë theksoi se ngritja e këtyre dy elementëve do të forcojë sistemin e drejtësisë. “Pasja e një shteti ligjor dhe një pushteti të pavarur të medias është pjesë integrale e shtetit të së drejtës. Në Shqipëri nuk funksionon Komisioni i Etikës dhe në mungesë të ligjit nuk funksionon edhe Konferenca Kombëtare Gjyqësore, ndaj ngritja e këtyre shtyllave do të forcojë sistemin e drejtësisë. Pavarësia e gjyqësorit dhe dhënia e vendimeve të drejta janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Tingëllon si sarkazëm t’ju themi juve se çfarë duhet të bëni, pasi ju e dini shumë mirë se çfarë duhet të bëni”, - tha Bosh. Ndërsa nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, theksoi rëndësinë e respektimit të Kodit të Etikës nga gjyqtarët. “Që pushteti gjyqësor të arrijë këtë, duhet të jetë prestigjioz, duhet të ketë prestigjin dhe autoritetin e vet përballë publikut. Dhe mënyra e vetme që pushteti gjyqësor të mundet të arrijë këtë nivel dhe standard pavarësie është shumë e rëndësishme që të ekzistojë besimi i publikut, pse jo, dhe besimi i pushteteve të tjera tek pushteti gjyqësor”, - tha Spahiu. Prania e OSBE-së në Shqipëri dhe Shkolla e Magjistraturës në bashkëpunim me Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Gjykatën e Lartë, ka marrë përsipër të organizojë seminare mbi etikën gjyqësore.

Në këto seminare OSBE-ja do të përqendrohet në rëndësinë që ka sjellja etike në ruajtjen e paanësisë gjyqësore dhe në rolin e gjyqtarit në garantimin e vendimmarjes së drejtë dhe të paanshme nëpërmjet menaxhimit efektiv të sallës së gjyqit, arsyetimit të qartë e të plotë dhe sjelljes së përshtatshme gjyqësore. Në do të marrin pjesë gjyqtarë nga Tirana dhe Shqipëria e Jugut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›