Njëvjetori i Gërdecit, Rama: Të gjithë bashkë më 15 mars
Vullnetarët e "Bashkimit të Ri për Ndryshim", kanë nisur turin e lajmërimit derë më derë
TIRANË- Për të kujtuar njëvjetorin e tragjedisë së Gërdecit, vullnetarët e "Bashkimit të Ri për Ndryshim", kanë nisur turin e lajmërimit derë më derë në Tiranë, për pjesëmarrje në manifestimin e madh qytetar, që do zhvillohet më 15 mars.
Dje, në rrugicat e bllokut "Ali Demi", ishte edhe Kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që ka takuar, për të qenë prezentë në sheshin "Skënderbej", në orën 6 pasdite.
Gjatë takimeve, Kryetari i PS-së, Edi Rama, është ndeshur dhe me problemet e qytetarëve, që lidhen kryesisht me rritjen e çmimeve të jetesës dhe pamundësisë për t'i përballuar ato. Kryetari i PS-së, Edi Rama, është shprehur se manifestimi i madh që do të zhvillohet në kryeqytet, është për të gjithë ata që ndjejnë nevojën se ky realitet duhet të ndryshojë:
"Ndaj, ditën e diel duhet të jemi së bashku, për të manifestuar nevojën e të gjithëve për ndryshim, në mënyrë që kostoja e jetës që rritet aforfe çdo muaj, me çmime, me fatura, me sigurinë e jetës, me mungesën e garancisë për të nesërmen, me papunësinë e varfërinë, të gjitha këto të jenë arsye të mëdha për të qenë bashkë, jo për t'u ndarë e përçarë. Jo ca këtej e ca andej, me flamuj të ndryshëm, me dasi, sherre, grindje, që i ka nxitur politika në 18 vjet".
Në një tjetër ndalesë në këtë lagje tiranase, Kryesocialisti ka sqaruar se kishte dalë bashkë me vullnetarët për të sensibilizuar të gjithë banorët që të jenë të pranishëm me zërin e tyre në manifestim:
"Kemi dalë me vullnetarët për të lajmëruar për manifestimin e ditës së diel, në orën 18:00, në sheshin "Skënderbej".
Është 1-vjetori i tragjedisë së madhe që ndodhi në Gërdec dhe duam të bëjmë manifestim të madh qytetar, jo partiak. Të gjithë bashkë, parti, shoqata, familje, sipërmarrje për një ndryshim të madh.
Për nevojën e një bashkimi të ri qytetarësh e qytetaresh, përtej dasive të së vjetrës, përtej kufijve që na kanë vënë politikanët në gjithë këto vite, në emër të fëmijëve tanë, sigurisë në punë, rrugë, kudo, në emër të nevojës për të përballuar një krizë të madhe dhe të gjithanshme.
E, për t'ia dalë, sepse duhet të garantojmë fëmijët tanë. Atdheu është borxhi që u kemi fëmijëve tanë!"