E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria i merr kompetencat bashkive

Komisioni i Ligjeve miratoi dje, mes debatesh, kalimin e kompetencave të pushtetit vendor tek ALUIZNI


Debati, qeveria merr
kompetencat e pushtetit vendor

TIRANË- Në rast se organet e pushtetit vendor nuk arrijnë që, brenda afateve të përcaktuara në ligj, të kryejnë përgjegjësitë e tyre lidhur me procesin e legalizimit, atëherë qeveria mund t'ia marrë ato dhe t'ia transferojë Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Ndërtimeve pa Leje.

Ky është thelbi i projektligjit, që Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje me votën kundër jo vetëm të opozitës, por edhe të deputetit të mazhorancës, Spiro Peçi, të cilët e kanë konsideruar këtë nismë ligjore si në kundërshtim me parimin e autonomisë së pushtetit vendor dhe vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që shfuqizoi afro 12 nene nga ligji bazë i Legalizimeve.

Debati


Por, nisma ligjore e 6 deputetëve për të risjellë në afatet kohore të ligjshme procesin e legalizimit, nuk ka kaluar pa debate në Komisionin e Ligjeve, ku deputetët e opozitës kanë kundërshtuar fort përmbajtjen e saj, me argumentin se ndryshimi i ardhur është në sinkron me përmbajtjen e neneve që Gjykata Kushtetuese shfuqizoi pak kohë më parë në ligjin bazë të legalizimeve dhe, për rrjedhojë, edhe me Kushtetutën dhe Kartën e Autonomisë së Qeverisjes Vendore. Sipas deputetit socialist, Besnik Dervishi, ndryshimi i sjellë cenon rëndë kompetencat që i atribuohen pushtetit vendor për rregullimin e territorit.

"Natyrisht që projekti tenton të hedhë fuqishëm poshtë një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që vazhdon në të njëjtën linjë, me të cilin është ndërtuar vetë ligji bazë për legalizimin e zonave informale", - u shpreh Dervishi gjatë fjalës së vet.

Në të njëjtën linjë argumenti ka qenë edhe ish-zëvendëskryeministri Pandeli Majko, i cili përveç argumenteve të sjellë nga deputeti parafolës, ka theksuar edhe qëllimin politik të këtij amendamenti.

"Nga ana ligjore nuk asnjë rëndësi se kush i fiton zgjedhjet me 29 qershor, pasi legalizimi do të vazhdojë, prandaj, pse e keni me tendencë që, po kaloi afati, duhet të futet ALUIZNI si forcë e ndërhyrjes së shpejtë?", - tha Majko.


Kësaj here, në një mendje me opozitën ka qenë edhe deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi, i cili ka theksuar se qeveria nuk mund të zgjidhë problemin e legalizimeve duke i marrë kompetencat e një tjetër pushteti, i cili ka detyrë ligjore kryerjen e përgjegjësive të veta lidhur me këtë proces.


"Nuk është kjo rruga me të cilën mund të disiplinojmë këtë proces. Unë do të shtroja pyetjen se, nëse edhe ALUIZNI nuk do t'i zbatojë këto afate, ia japim me ligj dhe nuk i zbaton, atëherë na duhet t'ia kalojmë një institucioni tjetër.


Prandaj, nuk jam dakord me projektndryshimin", - u shpreh deputeti Peçi. Por, sipas deputetëve të djathtë, nisma nuk ka asnjë qëllim politik dhe, për më shumë, nuk cenon kompetencat dhe atributet e pushtetit vendor.


Deputeti nismëtar i këtij projektligji, Ramiz Çobaj, ka shpjeguar se qëllimi i këtij amendamenti është që të bëhet implementimi i saktë i ligjit të legalizimeve, duke parashikuar që, në qoftë se një organ, që në këtë rast janë pushtetet vendore, nuk e ushtron të drejtën e tij, atëherë, qeveria mund të ndërhyjë për të zhbllokuar procesin dhe për t'ia kaluar këtë përgjegjësi ALUIZNI-t.

Drafti


Projektligji i paraqitur përmban vetëm një amendament për ndryshimin e paragrafit të fundit të nenit 10 të ligjit bazë të vitit 2006, "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e zonave informale" dhe që përcakton të drejtën e Agjencisë së Legalizimeve për të marrë kompetencat mbi disa etapa të këtij procesi, në rast se ato nuk ushtrohen brenda një afati të caktuar nga organet e pushtetit vendor.


Duke qenë se ky nen ka si pikë referimi pikën 4 të nenit 4 të këtij ligji, e cila me ndryshimet që iu bënë ligjit në vitin 2008 është hequr, atëherë iniciatorët e këtij ndryshimi argumentojnë se ka lindur nevoja që, paragrafi i fundit i nenit 10, të ndryshojë sipas kësaj përmbajtjeje:


"Në rast se pas kalimit të afateve, zyrat e urbanistikës apo këshillat e qarkut, nuk ushtrojnë përgjegjësitë e përcaktuara në këtë nen, atëherë ALUIZNI merr përsipër ushtrimin e tyre. Afatet, mënyra dhe koha e ushtrimit të këtyre përgjegjësive, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave".

Me anë të këtij ndryshimi kërkohet t'i jepet zgjidhje defektit të mësipërm, që është krijuar si pasojë e shfuqizimit të pikës 4 të nenit 4 të ligjit bazë, me anë të amendamenteve të bëra në vitin 2008.


Amendimi i PD-së, sërish në Kushtetuese


TIRANË- Amendamenti ligjor, i paraqitur nga deputetët e djathtë për ligjin e legalizimeve, mund të bëhet përsëri objekt i ankimimit në Gjykatën Kushtetuese nga ana e deputetëve socialistë.

Këtë e ka paralajmëruar dje deputeti socialist, Besnik Dervishi, i cili duke folur pas seancës së mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, ku mazhoranca miratoi me forcën e kartonëve ndryshimet e propozuara, ka lënë të hapur mundësinë e çuarjes së tyre në Kushtetuese.

Megjithatë, ai pranon se kjo gjë mbetet për t'u gjykuar, pasi në vetvete, ndërmarrja e një hapi të tillë, nuk do të pengonte mazhorancën që të zbatonte ligjin për qëllime politike, deri në zgjedhjet e qershorit.

"Do të ishte kohë e humbur të çohej në Kushtetuese, megjithatë, ne mund ta çojmë në Kushtetuese.

Por, problemi nuk qëndron në dërgimin e saj në Gjykatën Kushtetuese, pasi problemi mbetet në atë që kjo mazhorancë po operon me shpejtësi për të mbyllur në mënyrë politike një premtim tjetër të dështuar të kësaj amzhorance, për të përmbyllur procesin e legalizimeve", - tha Dervishi.

Ai ka argumentuar se, projekti i paraqitur për miratim, nuk është gjë tjetër, veçse një perifrazim i të njëjtit nen me atë që ka shfuqizuar Gjykata Kushtetuese, pasi ka të bëjë përsëri me marrje kompetencash të pushtetit lokal.

"Thelbi është i njëjtë me atë që ka neni i shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, është thënë e njëjta gjë, por me fjalë të tjera", - tha Dervishi.


 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›