E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Katari, interes për projektin 2.5 miliardë eurosh të gazit



Lideri në botë për eksportin e gazit kthen sytë nga Semani

Kompani nga Katari, investime në turizëm

Projekti më i madh i rigazifikimit në rajon, i cili do të ndërtohet në grykëderdhjen e Semanit, ka ngjallur interesin e veçantë të Katarit, vend lider në botë në eksportin e gazit të lëngshëm. Këtë interes e ka bërë të ditur Kryeministri Sali Berisha, gjatë vizitës së tij në shtetin arab, ku bisedoi në lidhje me këtë investim prej 2.5 miliardë eurosh. “Një vend të veçantë në bisedimet tona, si dhe një nga qëllimet, është edhe projekti i madh i Semanit. Ky projekt, prej rreth 2.5 miliardë eurosh, është një nga projektet më gjigande të rajonit dhe më gjerë”, - tha Berisha. Kreu i qeverisë takoi ministrin e Energjisë dhe Industrisë së Katarit, Abdullah bin Hamada al-Attiyah, ku u diskutua gjerësisht ky projekt. Në takim mori pjesë dhe shefi ekzekutiv i Qatari Petroleum Company - QPC, një nga kompanitë e mëdha të gazit, ku u diskutua lidhur me realizimin e projektit LNG në zonën e Semanit. Një grup ekspertësh teknikë të kompanisë do të vijnë në Shqipëri për të diskutuar me grupet e ekspertëve vendas për të konkretizuar idetë e diskutuara.

Kreu i qeverisë tha se me autoritetet e Katarit janë diskutuar mjaft mundësi për t’u përfshirë në këtë projekt. Krahas mundësisë së investimit direkt në këtë Project, një mundësi do të jetë që Katari të furnizojë me gaz impiantin e rigazifikimit. “E vërteta është që ky projekt zgjoi interes shumë të veçantë, si tek Emiri ashtu dhe tek Kryeministri. Për shkak të interesit të veçantë që treguan ndaj këtij projekti kërkuan që të vijë këtu dhe ministri i Naftës dhe i Gazit, për të diskutuar kryesisht lidhur me projektin”, - tha më tej Berisha, i cili u shpreh optimist për vënien në jetë të këtij projekti ambicioz të Shqipërisë.

Gjatë vizitës në Katar me autoritetet e larta është diskutuar edhe për fusha të tjera me interes për të dyja vendet. Një nga ato është turizmi. Në Shqipëri kanë filluar të operojnë disa kompani të mëdha nga Katari në fushën e turizmit. Autoritetet më të larta të këtij shteti thanë se këto investime kanë qenë një sukses. Interesi është shtuar duke kërkuar investime të tjera në Shqipëri. Një gjë të tillë e ka garantuar edhe Kryeministri Berisha, i cili ftoi investitorët e pasur të Katarit, të vijnë në Shqipëri. Kryeministri, në takimet e tij, vuri theksin në reformat dhe sigurinë që ofron vendi. Shqipëria do të jetë anëtare e NATO-s, një garanci për çdo investitor të huaj për të sjellë kapitale. “Një nga qëllimet e mia kryesore këtu ishte inkurajimi i biznesit të këtij vendi për të investuar në Shqipëri. Dihet që kompani të Katarit kanë një blerë dhe po operojnë ose do të fillojnë së shpejti ndërtimin e rezorteve të mëdha turistike në brigjet e Shqipërisë”, - deklaroi Berisha. Kryeministri e cilësoi vizitën në Katar si tepër frytdhënëse, në nisjen e një bashkëpunimi më të gjerë mes dy vendeve. Vizita e tij është ndjekur me interes nga mediat vendase, të interesuara në potencialet ekonomike që ofron vendi i vogël i Ballkanit. “Ka shumë arsye që vendi ynë të ketë marrëdhënie miqësore me këtë vend dhe vizita të nivelit më të lartë janë një faktor shumë i rëndësishëm. Në këtë kontekst, kam kënaqësinë të konfirmoj se edhe Emiri i Katarit, Lartësia e Tij, Al Thani, dhe Kryeministri i Katarit, Shkëlqesia e Tij, Al Thani, pranuan me kënaqësi ftesën për të vizituar Shqipërinë”, - tha Berisha duke shtuar se do të rriten marrëdhëniet politike me Katarin, vend me prestigj të veçantë në rajon dhe më gjerë.

Njohja e Kosovës nga Katari, afër

Kosova ishte një nga temat kryesore që Kryeministri Berisha konsumoi me autoritetet më të larta të Katarit, një vend me rëndësi në Lindjen e Mesme dhe botën arabe. Kreu i qeverisë shqiptare informoi se njohja e Kosovës nga Katari do të ndodhë së shpejti. “Unë kam kënaqësi që ky vend ka mirëkuptim për pavarësinë e Kosovës, po shqyrton dhe do të njohë pavarësinë e saj”, - tha Berisha. Ai tha më tej se homologu i tij e kishte informuar për komunikimin që qeveria e Katarit ka vendosur me atë të Kosovës. “Kryeministri Al Thani më konfirmoi se i ka dërguar një letër Kryeministrit Thaçi në të cilën parashtron qëndrimin e favorshëm të Katarit ndaj Kosovës, kështu që çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ky shtet është një çështje kohe jo e gjatë”, - tha Berisha. Në takimin e tij me autoritetit e Katarit, Berisha theksoi se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe, për më tepër, një garanci për paqen për të gjithë rajonin. “Shpjegova të gjithë problematikën dhe kontributin e madh që ky vend mund të japë për paqen dhe stabilitetin në rajon, nëpërmjet njohjes së pavarësisë së Kosovës”, - tha Kryeministri.

Berisha në kampusin universitar më të madh në botë

Ditën e dytë të vizitës në Katar, Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një vizitë në Fondacionin e Katarit (Qatar Foundation), ku u prit nga zëvendëspresidenti i këtij fondacioni. Qatar Foundation është qendra universitare më e njohur në botë, e binjakëzuar me 6 degët më të mëdha të universiteteve amerikane, në fushën e teknologjisë së lartë, të mjekësisë, të jurisprudencës, shkencave të komunikimit dhe gazetarisë. Së shpejti pritet përurimi i Parkut të Shkencës dhe Teknologjisë në brendësi të Fondacionit të Katarit i cili është më i madhi në botë dhe që ka kushtuar 5 miliardë dollarë. Qatar Foundation ka shkencëtarët dhe specialistët më të mirë të botës që punojnë për të. “Arsimi është ndër prioritetet e qeverisë. Ne kemi dyfishuar buxhetin për arsimin, kemi rritur numrin e studentëve deri në 150 mijë, po vazhdon me sukses projekti për shtrirjen e internetit në cdo shkollë etj. dhe me reformat e saj, qeveria do të vazhdojë të rrisë mbështetjen për arsimin”, - tha Berisha. Zëvendëspresidenti i Fondacionit u shpreh se ky fondacion është në kërkim të mundësive për bashkëpunim me Shqipërinë dhe bëri të ditur se do të japë disa bursa studimi “Master” pasuniversitare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›