Qeveria "vesh" Kushtetutën me ngjyrën blu
Ndryshon ngjyra e kopertinës së Kushtetutës dhe rregullorës së Kuvendit. Nga e kuqe bëhet blu
TIRANË- Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Regullorja e Kuvendit ndryshojnë përsëri. Por ndryshimi kësaj here nuk ka të bëjë me përmbajtjen, por me formën e këtyre dy dokumentave tepër të rëndësishëm, njëri për funksionimin e gjithë institucioneve në Shqipëri dhe tjetri për funksionimin e legjislativit shqiptar.
Kur i kanë mbetur edhe tre muaj nga votbesimi popullor në zgjedhjet e 29 qershorit, Partia Demokratike ka nxituar që të shfrytëzojë pushtetin për të lënë gjurmën e saj edhe në ligjin themeltar të shtetit dhe "biblën" e Kuvendit, duke futur në to një nga simbolet e saj më të dukshme, ngjyrën blu.
Kështu, këto dy dokumenta nuk do të jenë më të veshura me kopertinë me ngjyrën e flamurit kombëtar, por me ngyrën blu të flamurit të Partisë Demokratike.
Kushtetuta
Gati 10 vjet pas miratimit të saj, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk do të jetë më ashtu siç njihet nga gjithë shqiptarët, pra me ngjyrë të kuqe. Qeveria ka shfrytëzuar ribotimin e saj të parë pas ndryshimeve të ndodhura gjatë marsit të një vit më parë për ti ndryshuar edhe fytyrën.
Dje Kuvendi i Shqipërisë është furnizuar me Kushtetutën e re me ngjyrë blu, e cila do tu shpërndahet më pas deputetëve dhe administratës, si dokumenti me të cilin do të punohet që këtej e tutje.
Megjithatë burime pranë Kuvendit bëjnë të ditur se ndryshimi i ngjyrës së këtij dokumenti nuk ka të bëjë me ngjyrën e flamurit të Partisë Demokratike, por me ngjyrën e flamurit të familjes së madhe europiane.
Të njëjtat burime konfirmojnë se është një nismë për ta bërë atë një dokument që t'i përshtatet zhvillimeve të demokracisë dhe të justifikojë ambicien e shqiptarëve për të qënë pjesë e Bashkimit Europian.
Ribotimi i Kushtetutës u bë i detyrueshëm për shkak të nevojës për të reflektuar në të ndryshimet që iu bënë vjet gjatë muajit mars, ku u sanksionua sistemi zgjedhor proporcional-rajonal, kufizimi i mandatit të prokurorit të përgjithshëm apo edhe zgjedhja e presidentit të republikës me shumicë të thjeshtë votash.
Regullorja
Pothuajse me të njëjtin format dhe me të njëjtën ngjyrë është ribotuar kësaj here dhe Regullorja e Kuvendit të Shqipërisë. Edhe ajo, ashtu si Kushtetuta, kopertinën e ka patur të kuqe, ndërsa botimi i ri është ngjyrë blu.
Edhe për ndryshimin e paraqitjes së këtij dokumenti është dhënë i njëjti argument si dhe për kushtetutën, pra për ta veshur atë me ngjyrën e flamurit të Bashkimit Evropian.
Megjithatë një argument i tillë duhet të jetë një justifikim i këtyre veprimeve, pasi më parë mazhoranca ka veshur me blu edhe sallën e re ku jep konferencat për shtyp kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ndersa nuk mundi të ndryshojë dot sallën tjetër të konferencave të ngritur gjatë qeverisjes së socialistëve.
Edhe ribotimi i Rregullores së Kuvendit u bë i detyrueshëm pas ndryshimit që ju bënë asaj gjatë verës së shkuar, në nenet që kanë të bëjnë me procedurën që duhet ndjekur për kandiaturat që vijnë nga Presidenti për anëtarë të institucioneve kushtetuese.
"Kuvendi bën të ditur se ndryshimi i ngjyrës së këtij dokumenti nuk ka të bëjë me ngjyrën e flamurit të Partisë Demokratike, por me ngjyrën e flamurit të familjes së madhe europiane"