Topi takon Ivo Sanader: “Kroacia të liberalizojë vizat për shqiptarët”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një drekë punë me kryeministrin kroat, Ivo Sanader. Pasi shprehu kënaqësinë e veçantë për realizimin e kësaj vizite kaq të rëndësishme në Kroaci, e cila shërben si një shtysë e fuqishme për nxitjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve tona, presidenti Topi theksoi nevojën për rritjen dhe intensifikimin e tyre dhe bashkëpunimit ekonomik, në mënyrë që këto marrëdhënie t’u përgjigjen edhe nivelit të shkëlqyer të dialogut politik. Kryeministri Sanader, pasi i uroi mirëseardhjen presidentit Topi dhe delegacionit zyrtar që e shoqëron, vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve mike, të cilat tashmë janë aleate dhe partnere strategjike në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe shprehu vullnetin politik të qeverisë që ai drejton për shtimin e shkëmbimit të vizitave të niveleve më të larta politike. Të dy personalitetet e larta nënvizuan rëndësinë e shkëmbimit të takimeve dypalëshe, të zhvillimit të tryezave rajonale dhe zbatimit të projekteve të përbashkëta që shërbejnë për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si: ekonomia, energjetika, transportet, turizmi, kultura etj. Në këtë kuadër do të ishte me interes heqja e plotë e regjimit të vizave, lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave si dhe nxitja dhe zhvillimi i bashkëpunimit në fushën e turizmit ku një rol të madh do të luanin edhe vendosja e një linje direkte ajrore Zagreb-Tiranë dhe e një linje të mundshme detare Durrës-Rjeka, apo përfundimi i Korridorit infrastrukturor Adriatiko-Jonian. Zoti Sanader, pas kërkesës së presidentit Topi se “çështjes së liberalizimit të plotë të regjimit të vizave i ka ardhur koha për t’u finalizuar, meqenëse vullneti politik ekziston”, e siguroi kreun e shtetit shqiptar se një gjë e tillë do të bëhet sa më shpejt, duke e garantuar njëkohësisht se Kroacia do të japë gjithë ndihmën e nevojshme për përçimin e përvojës në drejtim të përmbushjes së të gjitha standardeve dhe realizimit të aspiratës integruese të vendit tonë në gjirin e familjes europiane.
22 Maj 2009