E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosh: Mbështes përbërjen aktuale të komisioneve

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, u ka bërë të ditur mbështetësve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët kanë protestuar para zyrave të OSBE-së, se autoriteti ku ata mund të drejtoheshin për të ndrequr gjendjen është Parlamenti i Shqipërisë. "Shqipëria ka një Parlament dhe kur Parlamenti merr një vendim në mënyrë demokratike, atëherë OSBE nuk mund të protestojë kundër asgjëje", tha Bosh, duke komunikuar me anëtarët dhe simpatizantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim,

të cilët, në përfundim të Konventës Kombëtare të LSI-së, protestuan përpara zyrave të OSBE-së me pretendimin se anëtarët e LSI-së po përjashtohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. "Unë e di që turmat kanë gjithmonë të drejtë, por në këtë rast jo", tha ambasadori Bosh. Ndërkaq, në lidhje me një nga çështjet më të debatueshme të reformës zgjedhore, atë të komisioneve zgjedhore, kreu i Prezencës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Tiranë, Robert Bosh, theksoi se përkrah strukturën që aktualisht përdoret, pra që në komisione të jenë përfaqësues jo vetëm anëtarët e partive të mëdha, por edhe grupimeve më të vogla parlamentare. Në një dalje publike në respekt të protestuesve, të cilët ishin vendosur përpara zyrës së tij në kryeqytet, Bosh ka deklaruar se OSBE po monitoron zhvillimin e reformës zgjedhore, por ajo nuk mund të ndryshojë vendimet që merren në Parlament nga ligjvënësit. Protesta e LSI-së para selisë së OSBE-së ishte një apel ndaj ndërkombëtarëve që të ndërhyjnë në situatën aktuale kur dy partitë kryesore, PD e PS, po mbyllin me votat e tyre reformën elektorale në vend.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›