E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta mbledh Konventën: është koha për një Dhjetor të Dytë

Ilir Meta paralajmëroi dje se kjo forcë politike është përballë një momenti historik, të krahasueshëm për nga rëndësia me dhjetorin e vitit ‘90, kur rinia përmbysi regjimin totalitar. Në fjalën e tij në Konventën Kombëtare të LSI-së, ish-kryeministri konstatoi se sot vendi është në udhëkryq. "Ose do të rrojmë të lirë dhe me dinjitet, ose do të pranojmë të skllavërohemi!", theksoi Meta. Sipas tij, një klikë e krijuar nga një aleancë e paprinciptë pseudosocialiste dhe pseudodemokrate, kërkon të vrasë shpresën, kërkon të eliminojë konkurrencën e ndershme politike, kërkon të varrosë zgjedhjet e lira në këtë vend! Meta akuzoi Ramën dhe Berishën se po asgjësojnë hapësirën e debatit të lirë e mendimit ndryshe. "Pakti i madh i kësaj kaste të rrezikshme dhe antikombëtare filloi me shkeljen e vullnetit të mbi 1 milion shqiptarëve që votuan Kushtetutën demokratike të vitit 1998 dhe që vijoi me shkatërrimin antidemokratik të Kushtetutës së vendit natën e errët të 21 prillit", tha Meta. Nga ana tjetër, shtoi ai, kemi një pseudo-opozitar, në të vërtetë palë me pushtetin aktual dhe kryetar bashkie që varrosi përfundimisht demokracinë e brendshme brenda partisë së tij. "Pa iu dridhur qerpiku dhe pa asnjë brerje ndërgjegjeje ai iu përvesh si një kasap i rëndomtë Kushtetutës dhe hapësirave publike, këndeve sportive, shesheve të fëmijëve, parkut të madh të liqenit dhe atyre pak parqeve që kanë mbetur, për të ndërtuar mbi to ca monstra betoni mu në mes të mushkërive të pakta që i kanë mbetur Tiranës", këmbënguli Meta. Kreu i LSI-së sqaroi se këta dy individë të veshur me pushtet të pamerituar janë sot simbioza e së keqes dhe e rrezikut të madh që u kanoset të gjithë qytetarëve. "Këta dy demagogë kanë gjetur gjuhën e përbashkët për t‘u vënë kazmën edhe zgjedhjeve të ardhshme, nëpërmjet një kodi zgjedhor të hartuar në ilegalitet të plotë", u shpreh Meta. LSI, vijoi ai, është e vetmja forca kryesore politike në vend që e ka shndërruar votën e lirë dhe zgjedhjet e ndershme në kauzën themelore të saj dhe të demokracisë së vërtetë në Shqipëri. "LSI nuk ka kërkuar kurrë asnjë privilegj në proceset zgjedhore, përveç asaj që me të drejtë i takon, por nga ana tjetër nuk do të tërhiqet kurrë e do të luftojë deri në fund për përmbushjen e të drejtave të ligjshme të saj", siguroi ai. Meta i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe të gjithë përfaqësuesve të tij në Shqipëri që ta marrin shumë seriozisht çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme e të ushtrojnë të gjithë ndikimin e nevojshëm që të parandalohet shkatërrimi i zgjedhjeve nga dy partitë e tjera, pasi vendi ynë nuk meriton më të vonohet për t‘iu bashkuar familjes evropiane. "Prandaj dhe koalicionit antidemokratik, Rama-Berisha, ne do t‘i vëmë përballë koalicionin e vërtetë të opozitës kryesore, me në krye LSI-në, rreth së cilës mblidhen gjithnjë e më shumë shqiptarë të ndershëm", tha Meta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›