Kryqi i Kuq Shqiptar dhe AMC-ja, fushatë në mbështetje të të moshuarve
Kryqi i Kuq Shqiptar, mbështetur për të tretin vit radhazi nga kompania e telefonisë celulare “AMC”, ndërmori një fushatë ndërgjegjësimi në ndihmë të të moshuarve që jetojnë vetëm, nën moton “Mendoni për ata që nuk janë si ju”. Qëllimi kryesor i këtij projekti është ndihma në favor të kësaj shtrese të shoqërisë, duke kontribuar direkt në mbajtjen dhe përmirësimin e kushteve të qendrave ditore të Kryqit të Kuq Shqiptar, të cilat frekuentohen nga qindra të moshuar në nevojë. Fushata nisi më 17 tetor, në kuadër të “Ditës kundër urisë” dhe pati një shtrirje të gjerë në të gjithë vendin, falë ndihmesës së “AMC”-së, e cila vuri në dispozicion sistemin e SMS-ve, me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve. Përveç ndihmesës së vetë kompanisë, një fond i veçantë u mblodh edhe nga qytetarët të cilët kontribuan duke dërguar SMS, pikërisht në ndihmë të të moshuarve. Këto fonde do të përdoren për mbarëvajtjen dhe përmirësimin e kushteve në qendrat ditore që Kryqi i Kuq ka ngritur në Tiranë, Gjirokastër, Elbasan dhe Mirditë. Përveç përkrahjes mujore që të moshuarit e këtyre qendrave përfitojnë, u mundësua edhe ngritja e një biblioteke, organizimi i ekskursioneve jashtë qytetit etj. E kthyer në një traditë, këto aktivitete synojnë të promovojnë në publikun e gjerë dhe në mënyrë të veçantë te biznesi vendas dhe te rinia ndjenjën e solidaritetit me ata njerëz të vetmuar e në nevojë. Nëpërmjet këtyre aktiviteteve Kryqi i Kuq përpiqet të ndikojë sadopak në përmirësimin e gjendjes në të cilën të moshuarit ndodhen.
28 Nentor 2008