E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendrat e votimit, Ristani përsërit thirrjen për komisionerët

Autori i Lajmit: red.
Vazhdon të jetë prezent shqetësimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me ngritjen e qendrave të votimit dhe trajnimit të komisionerëve. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, pohoi dje se partitë vazhdojnë të pengojnë seriozisht plotësimin e standardeve të zgjedhjeve. “Ne jemi treguar bashkëpunues, por akoma mungojnë anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit. Absolutisht është standard i munguar. Do dalin raportet nesër, mbase ju nuk u bëhet vonë, por është standard i munguar. Komisionet e qendrave të votimit ende nuk janë ngritur. Kemi bërë gati bazën materiale për shpërndarjen, por nuk do kemi kujt t ia dorëzojmë sepse komisionet janë të paformuar, kjo është gjendja”, - tha ai gjatë mbledhjes së djeshme. Ristani u rikërkoi partive politike konsensusin për miradministrimin e procesit. “Na jepni mundësinë të trajnojmë komisionerët, na krijoni mundësi që raporti të pasqyrojë standardet e zgjedhjeve, kjo është ajo që duhet të bëni”, - tha ai. Ndërkohë, gjatë mbledhjes së djeshme KQZ miratoi raportin e Bordit të Monitorimit të Medias, i cili për herë të parë ishte miratuar me konsensusin e 7 anëtarëve të tij. Raporti parashikonte që pothuaj të gjitha televizionet duhet të kompensonin kohë televizive për parti të caktuara politike. Ndërkohë që janë miratuar dhe disa ndryshime anëtarësh dhe kryetarësh të Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i socialistëve në KQZ, Genci Gjonçaj, përsëriti kërkesën për t u njohur me standardet e bojës matrikulluese që do të përdoret ditën e votimit. Edhe pse ajo është cilësuar si e rregullt nga laboratori i KQZ-së, Gjonçaj ka kërkuar të tjera sqarime.
Ky lajm është publikuar: 25/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›