E Hënë, 2 Nëntor 2026

Boshatiset Burgu 302, Jaho Mulosmani në Burrel

29/04/2005  Të paraburgosurit sistemohen në qelitë e të fortëve të dikurshëm

TIRANË – "Boshatisja" e Burgut të Sigurisë së Lartë 302 ka mbyllur kapitullin ditën e djeshme me Jaho Sali Mulosmanin, që është dërguar në Burrel. Të dënuarit me formë të prerë, që deri dje qëndronin në këtë burg të sigurisë së lartë, por tashmë ua kanë lëshuar dhomat të paraburgosurve për krime të rënda. Dje pas mesdite, makinat e autoburgut janë nisur drejt Burrelit me një mision të përbashkët. Të dënuarit për krime të rënda, që kishin mbetur në këtë burg, janë sistemuar në dhomat e Burgut të Burrelit. Largohet edhe një prej "vip"-ve të fundit që qëndronte në Tiranë.

Mulosmani

Jaho Mulosmani, dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e deputetit Azem Hajdari, dje është dërguar nën masa të rrepta sigurie në Burgun e Burrelit. Bashkë me Mulosmanin në këtë burg janë dërguar edhe pjesa e mbetur e të dënuarve. Kanë qenë gati 15 të dënuar, të cilët janë sistemuar në Burrel. Vetëm pak kohë më parë në këtë institucion të vuajtjes së dënimit u sistemuan Gazmend Braka dhe Myrteza Çaushi. Ashtu si Zani dhe Gaxhai, edhe Jaho Mulosmani do të duhet të udhëtojë shpesh nga Burreli për në Gjykatë. Është ende në gjykim për një vepër tjetër penale të kryer në Bajram Curri, disa kohë pas vrasjes së Azem Hajdarit. Përfaqësuesit e akuzës kanë vërtetuar se arma që ka kryer vrasjen e Azem Hajdarit ka qëlluar edhe mbi dy persona të tjerë në Tropojë.

302

Tashmë në Burgun e Sigurisë së Lartë 302, nuk do të ketë asnjë të dënuar me formë të prerë. Ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafa, e bëri këtë lëvizje për dy arsye. E para është lehtësimi i punës për Gjykatën e Krimeve të Rënda, e cila i shtrin kompetencat e gjykimit në të gjithë territorin e vendit dhe, e dyta, hapja e kanalit të nëndheshëm në Burgun 302, bëri që rreziku të ishte i madh. I pari që la qelinë ka qenë Gazmend Braka. Ky është edhe personi i përfolur si projektues i hapjes së tunelit lidhës, nga ishte bërë gati plani i arratisjes. Në rast se do të bëhej i mundur përfundimi i punimeve, kishte rrezik që nëpërmjet kanalit të largohej Gazmend Braka. Autoritetet e burgut morën menjëherë masa të rrepta. Një pjesë e të dënuarve u dërguan në Peqin dhe pjesa tjetër në Burrel.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›