E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lavdërim Tufa mungon në gjyq, futet në grevë urie

29/04/2005  Avokati i Popullit bind të paraburgosurit të ndërpresin grevën

TIRANË – Ndërsa të paraburgosurit e krimeve të rënda dje në mesditë vendosën të dalin nga greva, Lavdërim Tufa bën të kundërtën. Nuk paraqitet në seancë gjyqësore dhe si shkak në letër ka vënë pikërisht futjen në grevë urie. Në listën e gjatë të paraburgosurve që firmosën futjen në grevë urie, emri i Lavdërim Tufës mungonte. Por dje, ai ka pohuar të kundërtën. Nuk është dakord me sjelljen që gjykata ka bërë ndaj tij dhe mbrojtjes. Kundërshton të gjitha vendimet e Kolegjit Penal të Krimeve të Rënda, që, sipas tij, ka qenë i njëanshëm në proces. I pandehuri Tufa pretendon se me anë të grevës së urisë do të zgjidhë problemet që ka patur me akuzën në gjykatë. Ai është shprehur se gjykata me shumë lehtësi ka pranuar të gjitha provat e prokurorit, duke rrëzuar me lehtësi ato të mbrojtjes. Me anë të një letre dërguar me policët e togës së shoqërimit, i pandehuri njoftonte gjykatën se për arsye private (ishte futur në grevë urie) nuk do të marrë pjesë në gjyq. Jo vetëm kaq, por i pandehuri nuk ka pranuar që seanca gjyqësore të zhvillohej pa praninë e tij. Kolegji Penal i Krimeve të Rënda ka respektuar mendimin e Lavdërim Tufës, duke i tërhequr njëkohësisht edhe vëmendjen. Sipas gjykatës, Tufa ka më shumë se dhjetë seanca gjyqësore që nuk paraqitet, duke mos dhënë asnjë justifikim të drejtë. Megjithatë edhe dje gjykata vendosi të shtyjë gjyqin për në datën 4 maj, në pritje për të dëgjuar deklarimet e lira të tij.

Greva

Vetëm një ditë pasi u futën në grevë urie, të paraburgosurit e Burgut të Sigurisë së Lartë 302 Tiranë kanë pritur Avokatin e Popullit, Emir Dobjani. Letra e shkruar nga të paraburgosurit bëri që Dobjani të shkojë në qelitë e tyre dhe të bisedojë për problemet e ngritura. Pasi i ka siguruar se do të bëjë të pamundurën për të përmirësuar situatën dhe për të zgjidhur në një farë mase kërkesat, të pandehurit i premtuan Dobjanit se do të dalin nga greva dhe në rast neglizhence do të rifuten përsëri. Kështu dje në orët e mesditës, të paraburgosurit i janë kthyer ushqimit të ardhur nga familja dhe atij të dhënë nga burgu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›