E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kur shteti hesht dhe heshtja vret..

29/04/2005  Pak gjëra kanë filluar të bëjnë përshtypje ndër shqiptarë, kjo pasi koha ka ofruar ç'ka më tragjike mund t’i ofrohet një kombi. Por, kur është shumë është shumë. Një thënie e vjetër thotë tepria është helmi i arsyes, por që tepria të ishte heshtja dhe helmi vdekja e njomëzakeve, kjo mund të ndodhë vetëm këtu ndër ne. Tashmë nuk janë pak të miturit e vetëvrarë, media elektronike dhe ajo e shkruar, përveç efekteve mediatike dhe tragjike për shtim dëgjuesish ose tirazhi, po vërtitet në riciklime batutash pa treguar me gisht se kush janë shkaqet, strukturat që duhet të veprojnë për të bërë të mundur parandalimin e këtyre tragjedive.

Nuk do të doja të ngjasoja me një grua patetike, por kur dëgjoj çfarë ndodh me bashkëmoshatarët e djalit tim, përveç qoftëlargut dhe luajtjes nga vendi, një ndjesi negative deri në cinizëm pushton arsyen time. Nuk do resht së shkruari, se shteti shqiptar me Kushtetutën e tij dhe Konventën për mbrojtjen e fëmijeve, strategjinë afatgjatë që ka hartuar për ta, përshëndetet vetëm kur ka Konferenca shoubërëse, si ajo e fundit e zotit Dokle. Varfëria dhe injoranca kanë krijuar një terren, ku çfarëdo lloj pseudofeje, mësuese korruptive, shoqërie e pavlerë dhe e dhunshme, mund të korrte pa mundim jetë të miturish, ndërkohë shteti hesht...: Sa duket "ai" ka të tjera impenjime, janë zgjedhjet së afërmi, e afërmendsh fatkeqët nuk janë as votues.

Nuk dua as t’i përmend me strukturat e shumta shtetërore që hanë bukë në emër të fëmijëve shqiptarë, as OJF-të dhe as BBF-të. Por nuk arrij të kuptoj se ç'ka e pengon Ministrinë e Arsimit të hartojë udhëzime konform kompetencave që i jep ligji, për mosinterferencën e feve të ndryshme në shkollat tona laike, për praninë dhe punësimin më në fund të punonjësve socialë në qendrat arsimore, për ndjekjen penale ndaj mësuesve biznesmenë, që me anë të katrave kushtëzuese, shtyjnë në vetëvrasje të mitur të brishtë etj., etj. Po ministri i Kulturës, pse nuk e orienton kujdesin e tij të veçantë edhe kundrejt padijes që ka pushtuar pjesën më të madhe të territorit të Shqipërisë! Mesa unë di, ai ka struktura që duhet të merreshin edhe me të miturit shqiptarë dhe, kjo përpara se të sponsorizojnë mise, kulte e sa e sa "emergjenca", që gjithsesi janë nën kujdesin e tij... Ndërkohë, Komiteti i Feve pranë Kryeministrit është shumë i zënë me rizgjedhjen e Papës së ri dhe nuk ka kohë të merret as me sekte fetare si "Jehovai" o sekte të tjera ogurzeza, që manipulojnë mendjet e fëmijëve dhe, rrjedhimisht, konsumojnë plotësisht vepra penale. Së fundmi dëgjon lloj-lloj shpjegimesh psiko-sociale, për këto vetëvrasje, shpjegime që më shumë të duket se flasin për të mitur nga Nju-Jorku, se sa për të mitur të rritur në realitetet tona, por gjithsesi ne të gjithë i dimë të vërtetat, çfarëdo që të thuhet nga formate allias Tejlori te telenovela “Bjutifull”. Im bir më pyeste mbremë... o ma, a ka Zot?. Dhimbshëm iu përgjigja se nuk e di, nuk e kam ndjerë a parë këtej rrotull, por instiktivisht, kur mbaroi edicioni i lajmeve me pamjet e të ndjerit të mitur të fundit, psherëtiva, oh Zot, qoftë me kaq...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›