E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Stela”, fillojnë procedurat për përfitimin e statusit të dëshmitarit

29/04/2005  Prokuroria e Përgjithshme ka filluar procedurat për dhënien e statusit të mbrojtjes së dëshmitarit, 17-vjeçares vlonjate, e cila denoncoi publikisht inspektorë të antitrafiqeve se e kishin përdorur për të futur në kurth biznesmenë të pafajshëm. Burime të organit qendror të akuzës thanë dje për gazetën, se po verifikohen ende pretendimet e saj dhe, nëse do të konkludohet se gjithçka është e vërtetë, atëherë do të merret në cilësinë e dëshmitarit. Nisur nga ky fakt kanë filluar edhe procedurat paraprake për përfitimin e statusit të mbrojtjes së dëshmitarit, sqarojnë burimet e Prokurorisë. Ndërkaq, burime zyrtare të prokurorisë së Vlorës kanë sqaruar se, vajza ka qenë e sëmurë mendore dhe për këtë fakt janë pushuar disa çështje. Por në spitalin psikiatrik të këtij qyteti është mohuar fakti që të jetë lëshuar ndonjëherë raport për 17-vjeçaren e mbiquajtur “Stela”, apo ajo të ketë qenë ndonjëherë pacientja e tyre.

Inspektorë të Drejtorisë së Kontrollit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, në bashkëpunim me organin e akuzës së qytetit të Vlorës, prej dy ditësh kanë filluar verifikimin e të gjitha vendimeve gjyqësore dhe dosjeve hetimore, ku denoncuesja ka qenë adoleshentja 17-vjeçare me pseudonimin “Stela”. Kjo e fundit denoncoi në emisionin “Fiks Fare”, tri netë më parë, veprime arbitrare dhe abuzive të disa efektivëve të Drejtorisë së Antitrafiqeve në Vlorë. Inspektorët e Prokurorisë së Përgjithshme do të verifikojnë nëse vërtet ekzistojnë dosje hetimore dhe vendime gjyqësore ndaj personave të ndryshëm të akuzuar për kryerje të marrëdhënieve seksuale me të mitura, ku viktima ka qenë 17-vjeçarja “Stela”. Gjithashtu do të merret në pyetje edhe adoleshentja dhe deklarimet e saj do të ballafaqohen me dosjet dhe vendimet gjyqësore ekzistuese. E.H.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›