E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtria, përse rekrutimi u bë me forcë

Njësitë e qeverisjes vendore si bashkitë dhe komunat fshehin listat e të rinjve që kanë mbushur moshën për t‘u thërritur nën armë. Nga 42 komuna dhe bashki që ka Qarku i Fierit, vetëm pak prej tyre kanë përcjellë drejt degës së rekrutim-mobilizimit ushtarak listat e sakta, ndërsa shumica e komunave dhe e bashkive afishojnë në lista vetëm emrat e atyre të rinjve që e kanë të pamundur shmangien për t‘u thirrur ushtar, e thënë më ndryshe që nuk kanë "miq" apo para për të paguar kryetarët e fshatrave dhe më tej kryekomunarët. Ky është një konstatim i degës së mobilizimit ushtarak Fier që përsëritet në çdo fazë rekrutimi. Edhe në fazën e fundit, atë të muajit janar 2009, komunat dhe bashkitë e Qarkut të Fierit nuk kanë paraqitur të gjithë emrat e të rinjve që kishin mbushur në fakt moshën për ushtar. Nga listat e vëna në dispozicion të degës ushtarake del fare qartë se komunat kanë sugjeruar emrat e jo më shumë se 7 të rinjve. Sipas kreut të degës ushtarake Fier, Ibrahim Hasani, konfirmohet se me gjithë aprovimin zyrtar që krerët e komunave kanë bërë për të ndihmuar në mobilizimin e ushtarëve, sërish në momentin e fundit ata e kanë braktisur këtë fazë. Ibrahim Hasani shpjegon se plani i mobilizimit të ushtarëve gjatë fazës së parë të këtij viti është realizuar vetëm falë angazhimit personal të prefektit të Fierit, degës ushtarake Fier, si dhe ndihmës së dhënë nga policia e rendit. "Plani i mobilizimit gjatë fazës së parë të janarit u realizua në kuotat 103 për qind dhe për këtë duhet thënë se pothuaj i gjithë numri i ushtarëve të thërritur nën armë është realizuar nga aksionet e befasishme në rrugë dhe në banesa. Prefekti i Fierit ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë proces, pasi ai ndikoi te komunat, por policia e rendit ndihmoi edhe më shumë, sepse mundësoi aksionet pas të cilave u plotësua edhe plani i parashikuar", tha shefi i degës së mobilizimit në Fier, Ibrahim Hasani. Mësohet se ashtu si në fazat e mëparshme, edhe gjatë kësaj faze, roli i komunave dhe bashkive ka lënë për të dëshiruar. Nga të tre rrethet, komunat e Lushnjës paraqiten më mirë në prezantimin e të rinjve për ushtar, ndërsa Fieri jo vetëm si qytet, por edhe si rreth, ndikon me mbështetjen e kryetarëve të lagjeve dhe fshatrave te të rinjtë për të mos iu përgjigjur thirrjes për ushtar. Hasani shpjegon se "ndërsa u arrit që nga aksionet e policisë ushtarake dhe policisë së rendit të realizohej plani i parashikuar, në fazën e dytë të këtij viti, atë të muajit prill, duhet që komunat të tregojnë angazhim më të madh". Gjatë dy javëve të janarit, kur u realizua edhe faza e parë e mobilizimit, të rinjtë e Fierit braktisën vendet publike dhe shumë prej tyre mundën t‘i shpëtonin marrjes me forcë për ushtar. Policia ushtarake e mbështetur edhe nga policia e rendit kryente aksione tepër të fshehta dhe bllokonte pika strategjike duke arritur të siguronte me forcë rekrutimin e rreth 98 për qind të kontingjentit të kërkuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›