Shfrytëzonte jetimen si prostitutë, në pranga tutorja
E ngelur jetime me vëllain më të vogël, në pamundësi për të siguruar jetesën, një vajzë 19-vjeçare nga Berati ka zgjedhur të punojë si prostitutë, por ka rënë në pranga së bashku me tutoren e saj. Burime të Komisariatit të Policisë Berat bëjnë me dije se mbrëmjen e së hënës është arrestuar 35-vjeçarja Blerina Kanani, lindur dhe banuese në lagjen "Kushtrim" të këtij qyteti dhe 19-vjeçarja me inicialet M. D, e cila është shfrytëzuar për qëllime prostitucioni. Policia tha se pas hetimeve disaditore, të hënën në mbrëmje është organizuar aksioni "Kalaja". Policia tha se në ambientet e një moteli në në hyrje të qytetit është arrestuar duke prostituuar 19-vjeçarja me inicialet M.D. dhe 35-vjeçarja Blerina Kanani, e cila sipas policisë gjente klientët e adoleshentes. Kanani mësohet se njihej prej disa kohësh me vajzën, pasi punonin bashkë në një lokal në qytetin e Beratit. Vajza e re mësohet se nuk kishte asnjë mundësi shkollimi dhe jetonte në kushte tepër të vështira ekonomike. Kjo gjendje është shfrytëzuar nga 35-vjeçarja Kanani, e cila i ka propozuar vajzës të punonte si punonjëse seksi në një motel të qytetit. Vajza paguhej me 5 mijë lekë të reja për "shërbimin" dhe klientët i gjente shoqja e saj, e cila mbante gjysmën e parave.