E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bosi i Partizanit në gjyq për tjetërsim pasurie

10/05/2005  Ka shitur pronat gjatë kohës që ka qenë në hetim nga prokuroria

TIRANË – Dosja me emrin e presidentit të klubit sportiv "Partizani", ka mbërritur tashmë në gjykatë. Shorti ka përcaktuar që kjo çështje, e cila është komentuar shumë, të shqyrtohet nga gjyqtari Ilir Çeliku. Data për fillimin e gjykimit është 13 maji. Prokurori i kësaj çështje është Kol Hysenaj. Sipas akuzës, Albert Xhani, është vërtetuar në bazë të provave që ndodhen në dosje, se ka kryer veprën penale të tjetërsimit të pasurisë. Prokurori Kol Hysenaj tha se, i pandehuri, edhe pse ka kundërshtuar akuzat e ngritura, duhet të përgjigjet për veprën penale, të cilën ka vazhduar të kryej edhe pasi ishte nën hetim.

Xhani

Albert Xhani ka shfrytëzuar për katër vjet rresht 28 mijë metra katrorë ambiente të Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas prokurorit Kol Hysenaj, i pandehuri ka lidhur një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes, në bazë të të cilës do të shfrytëzonte ambientet e saj për Sport Klub “Partizanin”. Akuza është shprehur se, Xhani, përveçse ka patur precedentë në drejtësi për tjetërsim pasurie, e ka vazhduar aktivitetin e tij të paligjshëm në emër të të qenit president i një klubi futbolli. Albert Xhani nuk ka paguar asnjë lek për ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, gjë kjo që ka detyruar organin e Prokurorisë, të ngrejë akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Prokurori

Për herë të parë, prokurori Kol Hysenaj tha se Xhani është arrestuar pasi gjatë kohës që ishte nën hetim për akuzën e tjetërsimit, ka shitur pronën e tij 840 metra katrorë, duke zhdukur provat si dhe ka bërë transferta parash. Akuza, sipas prokurorit Hysenaj, ka të bëjë me punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët kanë kryer veprime me objekte të blera nga Xhani. Bëhet fjalë për Klubin Sportiv Partizani, objektet e të cilës kanë qenë pronë e Ministrisë së Mbrojtjes. Po kështu, nga ana e akuzës u tha se shuma e tjetërsuar nga Xhani është 10.317.200 dollarë amerikanë, ndërsa shuma e përfituar është 5 milionë e 100 mijë dollarë amerikanë. I pandehuri, tha prokurori, ka kryer veprime edhe pas daljes së ligjit mbi amnistinë. Por të gjitha këto janë kundërshtuar nga Xhani në seancën për dhënien e masës së sigurimit. Ai tha se ishte krenar që kishte shitur në emër të kompanisë "Vefa Holding" 14 minifabrika.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›