Vidhet Benzi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda
10/05/2005 Vidhet në kryeqytet një makinë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërsa ishte parkuar pranë banesës së një prej shoferave të këtij institucioni. Ende policia nuk ka arritur të identifikojë ndonjë person si të dyshuar për autorësinë e vjedhjes. Prej katër ditësh, një autoveturë tip “Benz” 250 në dispozicion në Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, rezulton e vjedhur. Lajmi është bërë i ditur dje për gzaetën “Metropol”, nga burime të policisë së kryeqytetit, të cilat sqaruan se prej katër ditësh, mjeti është vjedhur dhe nuk është gjetur asnjë gjurmë e autorëve. Nga burimet mësohet se kur është vjedhur, mjeti nuk ka qenë i parkuar pranë institucionit përkatës, por pranë banesës së shoferit që e drejtonte, i punësuar pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai ishte kthyer në banesë të pushonte pasi ishte kthyer nga një shërbim jashtë Tirane në një rreth të largët të vendit. Por, kur ka dalë ka vërejtur se autovetura tip Benz, që ishte në dispozicion të transportimit të prokurorëve të Krimeve të Rënda, gjatë kryerjes së detyrës së tyre ishte vjedhur dhe nuk kishte mbetur asnjë gjurmë. Burimet e policisë thonë se autovetura ishte vjedhur në orët e natës dhe për shkak të errësirës mungojnë dëshmitarët. Për këtë shkak po hetohet në të gjithë kontigjentët kriminalë të zonës ku është vjedhur makina si edhe po verifikohen pika servisi në Tiranë, përfundojnë burimet.