Kapen hajdutët e magazinës "Alumin Albania"
10/05/2005 TIRANË- Efektivët e Komisariatit numër 4 arrestojnë dy hajdutët e magazinës "Alumin Albania". Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, thanë për gazetën se, "Në lidhje me vjedhjen e magazinës së firmës ‘Alumin Albania’, të ndodhur më datë 07.05.2005, punonjësit e Komisariati nr.4 bënë të mundur arrestimin në flagrancë të Fatmir Himës, 33 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe Arjan Rakipit, 30 vjeç, lindur në Peqin dhe banues në Allias, Tiranë, i padënuar. Shtetasit e lartpërmendur, sipas burimeve zyrtare, në bashkëpunim me njëri–tjetrin, kanë vjedhur me thyerje kasafortën e kësaj firme, ku në cilësinë e provës materiale u bllokuan 927.000 lekë, 2200 dollarë dhe 945 euro. Gjithashtu burimet policore thanë se është sekuestruar edhe një sasi e konsiderueshme materialesh, aksesorë fasade, me vlerë 60.000 lekë dhe një mjet tip “Benz”, me të cilin kanë kryer vjedhjen. Kjo vepër penale, sipas policisë, parashikohet nga neni 134/2 të Kodit Penal. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë për hetime të mëtejshme.