E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosnja bëhet forcë e dytë në grup, Rumania në valle për në Euro

SHKRUAN: Jeton Selimi 03-09-2011 12:18

Bosnja e dinte se sfida e dyfishtë e shtatorit me Bjellorusinë e vendit të dytë do të përcaktonte shumë për të ardhmen e saj për një vend drejt Euro 2012 Poloni-Ukrainë. Megjithatë, edhe më fanatiku mes boshnjakëve nuk do ta kishte imagjinuar një fitore aq të lehtë përballë Bjellorusisë në Minsk. Një fitore e pastër, 0-2 dhe skuadra ballkanase është e dyta duke ndjekur Francën në distancën e 3 pikëve. Kanë qenë dy gola të shpejtë në harkun e 120 sekodave ata që kanë hedhur “tuç” ekipin vendës. Salihoviç me penallti në minutën e 22-të dhe Medujanin në të 24-ët, kanë bërë të mundur që ekipi i Safet Susiç të kapë kuotën e 13 pikëve dhe ta lërë Bjellorusinë poshtë me një pikë, në kuotën e 12 pikëve. Këto dy skuadra do të ndeshen sërish pas 4 ditësh, por kësaj radhe në Bosnje dhe duket se të zotët e shtëpisë do të jenë më të favorizuar. Një tjetër fitore e Bosnjes do të sillte forcimin e pozitave të saj në vendin e dytë.

Rumania ka arritur një fitore 0-2 në Luksemburg dhe mban ritmin e Bosnjes për një vend të dytë dhe e sheh veten një pikë poshtë Bjellorusisë së vendit të tretë. Skuadra e drejtuar nga Viktor Picurka ka nënshtruar ekipin e fundit në grup pas rrjetave të tundura nga Torje në minutat 34’ dhe 45’ duke mbyllur hesapet që në fraksionin e parë të lojës. Të martën, skuadra rumune do të ketë një sfidë të nxehtë në Bukuresht, pasi do të përballet me Francën, kryesuesen e grupit që pasi mposhti Shqipërinë, është ngjitur në kuotën e 16 pikëve, por ende pa krijuar hendekun e duhur me ndjekësit e saj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›