E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, Shqipëria nuk mund të konsiderohet e paprekur

Gripi i derrit, apo virusi më në "modë" AH1N1 në të gjithë botën, mund të ketë mbërritur edhe në vendin tonë. Sipas Institutit të Shëndetit Publik nuk mund të përjashtohet nga mundësia prekja e ndonjë qytetari nga virusi. Këtu bëhet fjalë për marrjen e një viroze të lehtë. Kështu, nëse ndjeni se jeni infektuar apo keni probleme me rrugët respiratore, atëherë duhet të vizitoheni menjëherë. Në mënyrë të veçantë duhet të drejtohen menjëherë te mjeku të gjithë ata që ndjejnë se kanë probleme më të rënda, si temperaturë të lartë apo probleme me frymëmarrjen.

Shefja e departamentit të epidemiologjisë, pranë Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, ka deklaruar dje se është pothuajse e pamundur kontrolli i të gjithë qytetarëve dhe nuk përjashtohet nga mundësitë futja e virusit AH1N1 brenda territorit të vendit tonë. Nga ana tjetër, pavarësisht se dyshohet se virusi bën "ecejake" në vendin tonë, situata nuk paraqitet alarmante dhe qytetarët nuk duhet të jenë në panik.

Konkretisht influencat dhe virozat janë në sheshet tona, sa herë kemi ulje apo ngritje me disa gradë celsius të temperaturave.

Dhe format e lehta të këtyre virozëve, te qytetarët që janë të sëmurë, te diabetikët apo tek ata me imunitet të dobët, stimulojnë rrezikun për prekjen nga viruset në përgjithësi, duke mos përjashtuar as AH1N1, gripin e derrave.

Dyshimi

Specialistë të shëndetësisë janë tashmë në gatishmëri, duke e konsideruar të prekur Shqipërinë nga virusi AH1N1, madje nuk përjashtojnë edhe ndonjë rast të lehtë që mund të ketë kaluar.

"Ndonjë person mund të ketë qenë prekur nga ky grip, ndërkohë që në tetor dhe nëntor do të kemi raste të tjera të këtij virusi", u shpreh specialistja Silva Bino, sipas së cilës çdo njeri që ka temperaturë e kollë duhet të paraqitet nëpër qendra shëndetësore dhe spitale. Ndonëse stina e verës parashikohej të frenonte përhapjen e këtij virusi, specialistët konfirmojnë të kundërtën, madje me ritme më të shpejta, ndryshe nga gripi i zakonshëm.

Specialistët i bëjnë thirrje qytetarëve të ndërgjegjësohen dhe të mos neglizhojnë asnjë shenjë, qoftë dhe të një sëmundjeje të rrugëve të frymëmarrjes, sidomos personat që janë të prirur të shfaqin simptoma më të rënda. Ka nisur edhe trajnimi i mjekëve të familjes, pasi ata janë të parët që do ta konstatojnë. Rekomandohet që të gjithë qytetarët të bëjnë vaksinën e gripit të thjeshtë në kohën e duhur. Në periudhën shtator-tetor-nëntor Shqipëria do të preket nga virusi AH1N1.

Vaksina

Kompania farmaceutike, e cila ka prodhuar vaksinën kundër gripit të derrit, ka filialin e saj edhe në Shqipëri. Nga informacioni i kërkuar pranë këtij dikasteri rezulton se, vaksinat e këtij tipi mund të sillen në Shqipëri vetëm në rast se ka një bashkëpunim me shtetin, ashtu siç është vepruar deri tani. Më pas, kur të ketë një prodhim edhe më të madh, ato mund të sillen privatisht.

Një stok i madh me doza të vaksinave të thjeshta do të sillet privatisht nga farmaceutika, një pjesë tjetër e llojeve "tamiflu" janë porositur nga shteti shqiptar. Sakaq, vaksina apostafat, që do të përdoret ekskluzivisht për të imunizuar organizmin ndaj influencës AH1N1, deri tani nuk është në listën e parashikimeve të institucioneve shëndetësore shqiptare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›