Bosnja sjell dosjen e Fazlliç: Biznesmeni s’është i dënuar
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria boshnjake dërgoi në Ministrinë e Drejtësisë dosjen e saj për biznesmenin Damir Fazlliç, i cili po hetohet në Tiranë me dyshimet për pastrim parash. Burimet zyrtare thanë se pak ditë më parë, në Ministrinë e Drejtësisë në Tiranë ka mbërritur materiali i kërkuar nga Prokuroria e Tiranës, që në muajin janar të këtij viti. Dosja e mbërritur nga Bosnja pritet të përkthehet nga specialistët e licencuar dhe më pas t'i vihet në dispozicion Prokurorisë së Tiranës, e cila po mban të hapur një procedim penal ndaj biznesmenit Fazlliç, me dyshimet se ai ka kryer pastrim parash gjatë shitjes së kompanisë së tij "Crown Acquisitions" sh.p.k, me qendër në kryeqytetin shqiptar. Pasi filloi hetimet kryesisht në tetor 2008, Prokuroria e Tiranës dërgoi letërporosi në Bosnje, Kroaci, Qipro, Angli dhe Zvicër, me qëllim hetimin e aktivitetit financiar dhe transfertave të biznesmenit Fazlliç. Provat ndaj tij u kërkuan në të gjitha vendet ku sipërmarrësi kishte kompani tregtare, për shkak se ligji shqiptar në akuzën për të cilën hetohet Fazlliç, parashikon "pastrim të produkteve të ardhura nga krimi". Me pak fjalë, Prokuroria e Tiranës duhet të provojë jo vetëm veprën e pastrimit të parave por edhe se shuma e pastruar ka ardhur nga një vepër penale. Nëse këto rrethana nuk provohen, hetimet e hapura pa denoncim ndaj biznesmenit Damir Fazlliç dështojnë. Duke qenë se deri në vitin 2005, kur regjistroi kompaninë e tij "Crown Acquisitions", ai nuk ka qenë i pranishëm në asnjë aktivitet në Shqipëri, Prokuroria e Tiranës kërkoi prova nga Bosnja, Qipro, Kroacia, Zvicra dhe Anglia, ku Damir Fazlliç kishte vepruar më parë. Prokurorive respektive në këto vende iu kërkuan të dhëna rreth ndonjë vepre apo precedenti penal të biznesmenit Fazlliç, me qëllim që materialet të dërgohen në Tiranë dhe të administrohen në dosjen penale të hapur ndaj biznesmenit boshnjak. Prokuroria e vendit të tij të lindjes mësohet se ka dërguar në Tiranë materialet e saj, të cilat ndodhen aktualisht në Ministrinë e Drejtësisë. Sipas procedurës ligjore, dikasteri në fjalë pritet të përkthejë dosjen dhe ta vendosë më pas në dispozicion të Prokurorisë së kryeqytetit për vlerësimin e materialeve. Nga të dhënat jozyrtare, gazeta mësoi se Prokuroria e Bosnjës është përgjigjur formalisht, duke thënë se Fazlliç ka të paktën dy kompani në këtë vend, të cilat rezultojnë të pa dënuara për kryerjen e ndonjë krimi.