Delvinë, dëmtohen varret e dëshmorëve
DELVINE - Dëmtohen varret e Dëshmorëve në qytetin e Delvinës. Një kalimtar ka pikasur shenjat e dhunës mbi një pjesë të varrezave, duke sinjalizuar bashkinë. Ka qenë vetë kryebashkiaku i Delvinës, Dhurim Alinani ai që ka njoftuar policinë për atë që kishte ndodhur. Menjëherë është shkuar në vendngjarje dhe u konstatua se rreth 20 varre dëshmorësh, nga 70 që është numri i atyre që prehen në këtë vend, ishin dëmtuar. Kokat e varreve ishin të shkëputura, një pjesë të thyer apo ishin dëmtuar pllakat me emrat e dëshmorëve. Sipas burimeve të policisë ka nisur hetimi për të identifikuar se kush ka qenë personi ose personat e dhunimit të varrezave të Dëshmorëve në Delvinë. Burime policore thonë edhe se, ndoshta mund të kenë qenë fëmijë të shkollës 9-vjeçare "Kosta Çavo", pasi godina e saj ndodhet shumë pranë varrezave. Ata dyshojnë se duke luajtur, fëmijët mund të kenë dëmtuar varret. Mësohet nga kryebashkiaku Alinani se janë marrë menjëherë masat nga ana e bashkisë, duke u nxjerrë menjëherë një fond për sistemimin dhe rregullimin në një kohë sa më të shkurtër të atyre varreve të dëshmorëve që janë dëmtuar. sh.d