Dekreti presidencial, zbut mbipopullimin në burgun 325
TIRANE - Falja e të burgosurve pak ditëve më parë nga Presidenti Bamir Topi, ka sjellë kënaqësi jo vetëm te gratë e dënuara që lanë qelitë apo tek ato që përfituan ulje të dënimit, por edhe tek ato të burgosura që kanë mbetur brenda qelive. Gatë ditës së djeshme në qelitë e burgut të grave në kryeqytet, ose siç njihet ndryshe Burgu 325, lirimi i 16 të dënuarave ka bërë që të zbutej sadopak mbipopullimi në këtë institucion. Për shkak se nëpër qeli ndodheshin mbi 100 të dënuara, ose afërsisht dyfishi i kapacitetit. Falja e 16 grave me dekret të kreut të shtetit, bëri që dje të kryhej një rishpërndarje e të burgosurave nëpër qeli, duke u lënë atyre më shumë hapësirë. Burime nga ky burg pohuan se mes grave të dënuara ka pakënaqësi, sidomos atyre të dënuara për kultivim bimësh narkotike. Të paktën dy prej tyre vazhdojnë të mbeten në qeli, ndërsa pjesa tjetër u liruan me dekret presidencial. Po kështu të pakënaqura janë shprehur edhe ato gra, të cilat janë dënuar për vepra jo të rënda penale, si dhe ato, që u kanë mbetur më pak se dy vjet nga dënimi i dhënë nga gjykatat. Sipas tyre, kreu i shtetit duhet të analizonte edhe këto raste dhe nëse e shihte të arsyeshme t'iu ulte pak muaj, ose të gjithë dënimin kur bëhej fjalë për më pak se një vit. Ndërkohë burime nga burgjet pohojnë se për shkak të amortizimit të godinave, në këtë institucion të vuajtjes së dënimit, si dhe hapësirave të pakta që ndodhen në dispozicion të të burgosurave femra, do të ishte zgjidhja e duhur ulja në maksimum e numrit të atyre që ndodhen nëpër qeli. Të paktën, hyrja në fuqi e ligjit për dënimet alternative dhe vënia në zbatim e shërbimit të provës, pritet që të zbusë sadopak mbipopullimin në burg si dhe të sjellë rehabilitimin e shpejtë të kësaj kategorie të burgosurish. Të paktën në zbatim të këtij ligji pritet që një pjesë e konsiderueshme prej të burgosurave të lënë qelitë gjatë ditës apo të përfitojnë leje të gjata shpërblyese, madje të mos kthehen në burg për sa kohë qëndrojnë në përkujdesje të familjarëve apo punojnë në sektorë të ndryshëm jashtë burgut. Prioritet nga dënimet alternative pritet të kenë ato të burgosura që aktualisht punojnë në qeli dhe ato që janë të moshuara. fa.ma.