E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabiste banesa, pranga 42-vjeçarit

 

GJIROKASTER - Një 42-vjeçar nga Gjirokastra u arrestua dje pasi rezultoi të jetë autor i grabitjes së disa banesave, kryesisht në zonën e Dropullit. Sipas policisë, Panajot Rondo u prangos nga Seksioni Kundër Krimeve ndaj Pronës, pasi Prokuroria e Gjirokastrës kishte nxjerrë urdhër-ndalimin prej më tepër se 15 ditësh. Policia kreu një kontroll në banesën e tij në lagjen "Çfakë" dhe sekuestroi disa mjete, të cilat dyshohet se janë të vjedhura. Mësohet se në banesë iu gjetën tri trohor (sharrë e rrumbullaktë), dy trapano, një kompresor, dy pompa uji, një fshesë me korrent, një radio dore si dhe sende të tjera të dyshuara se Rondo i ka vjedhur në banesa të ndryshme në zonën e Dropullit. Policia e Gjirokastrës bëri të ditur se 42-vjeçari është autor i grabitjes së banesës së shtetasit J.B., nga fshati Dhuvjan ndodhur më 14 shkurt të këtij viti, ku ka vjedhur një sërë sendesh të ndryshme, kryesisht mekanike dhe shtëpiake. Mësohet se Rondo ka qenë i dënuar në regjimin komunist me 14 vjet burg, po për vjedhje.                                   p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›