I zhdukur prej 2 muajsh, gjendet i varur në stallë
POGRADEC/ JORGJETA GJANÇI
Gjendet i vetëvarur 37-vjeçari që ishte zhdukur nga familja dy muaj më parë. Sipas policisë, kufoma e Miço Torrës u gjet nga një kushëri te vendi i quajtur "Stanet e Omezhit" në një mal që ndodhet afër fshatit të tij, Memlisht të Pogradecit. Viktima ishte vetëvarur në njërin nga trarët e stallës me një bluzë prej pambuku, që e kishte pasur në trup. I pari që gjeti trupin e pajetë ishte një kushëriri i tij, i cili e dalloi atë që disa metra larg. Nga frika ai nuk u afrua, por shkoi menjëherë në fshat ndërsa u sinjalizua edhe policia. Blutë e Pogradecit shkuan në vend dhe konstatuan se në trupin e 37-vjeçarit nuk kishte shenja dhune. Sipas policisë, personi që gjeti Torrën është nga fshati Omezh. Por me kërkesën e familjarëve të Torrës, me ngrohjen e motit, ai filloi kërkimet për të gjetur kushëririn e tij. Edhe pse kishte filluar dekompozimi i trupit, u arrit në konkluzionin se mbi të nuk ishte ushtruar dhunë. Ishin familjarët ata që identifikuan kufomën dhe thanë se i varuri ishte djali i tyre. Gjetja me vonesë e trupit të pajetë u shpjegua me faktin se në këto stane verore, gjatë stinës së dimrit nuk shkon njeri mbasi bagëtia mbahet nëpër ahuret pranë shtëpive. Duhej që dikush të shkonte enkas për të bërë kërkime, siç ndodhi me kushëririn e tij, i cili gjeti trupin. Në sajë të hetimeve paraprake dyshohet se i ndjeri kishte jetuar aty për afro dy muaj. Policia gjeti gjurmë zjarri dhe drush të djegura, por edhe mbeturina ushqimesh të konsumuara prej tij. Ai ishte larguar nga shtëpia prej afro dy muajsh. Që nga ditët e para të shkurtit, askush nuk dinte gjë për të. Kur e panë që nuk u kthye disa ditë rresht, familjarët lajmëruan policinë për humbjen e tij. Blutë pas kërkimeve të para, më 12 shkurt e shpallën person në kërkim. Fotoja e tij së bashku me gjeneralitetet u dërgua në të gjitha komisariatet e Policisë në vendin tonë dhe në pikat e kalimit të kufirit. Familjarët pohuan në polici se 37-vjeçari së fundmi kishte shfaqur probleme me shëndetin mendor. Ata dyshonin se ai do të kishte mbetur diku në mal apo nëpër pyjet e zonës së tyre të Mokrës. Megjithatë askush gjatë këtyre dy muajve nuk gjeti ndokund shenja jete të tij. Fatkeqësisht dimri ishte i acartë dhe me reshje dëbore, çka vështirësonte lëvizjet dhe kërkimet e familjarëve, bashkëfshatarëve dhe punonjësve të policisë nëpër zonën rreth Velçanit dhe nëpër Mokër. Grupi hetimor pohoi se viktima e ka kryer vetëvarjen, si pasojë e çrregullimeve mendore.