E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontraceptivë për një jetë më të lumtur

Rëndësia e përdorimit të kontraceptivëve në jetën e një çifti, si dhe shmangia e keqkuptimeve për të ashtuquajturat efekte anësore të tyre janë trajtuar gjerësisht dje në fillimin e një fushate të gjerë sensibilizuese. "Më shumë momente të lumtura për shqiptarët", ka qenë njëri ndër mesazhet e saj. Komunikimi për ndryshimin e sjelljes në planifikimin familjar në Shqipëri (C- Change FP in Albania), është nisma më e re e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Ky program i prezantuar dje përqendrohet në rritjen e përdorimit të metodave bashkëkohore kontraceptive, për të sqaruar keqkuptimet në lidhje me efektet anësore dhe për të pakësuar përdorimin e metodave tradicionale, kryesisht për të rinjtë dhe të rejat e moshës 18-35 vjeç. "Shumë nga çiftet shqiptare, tashmë e kanë të qartë konceptin e planifikimit familjar, por bazohen kryesisht në metodat tradicionale, që nuk janë shumë të besueshme, ashtu siç janë metodat bashkëkohore kontraceptive të tilla si: pilulat kontraceptive, prezervativët dhe injeksionet kontraceptive", tha Berengere de Negri, drejtore e projektit. Ajo theksoi se "me përdorimin e metodave bashkëkohore, jeni të sigurt në parandalimin e shtatzënive të paplanifikuara dhe do të keni më shumë momente të lumtura dhe qetësi shpirtërore". Në ceremoni ishte e pranishme edhe drejtoresha e Misionit të USAID në Shqipëri, Roberta Mahoney, e cila tha se qëllimi i kësaj përpjekjeje është të ofrojë për shqiptarët një mundësi për një jetë më të mirë dhe më të shëndetshme. Mahoney, u fokusua edhe në nevojën për vazhdimin e investimeve në sektorin e shëndetësisë si një standard i rëndësishëm për hyrjen e Shqipërisë në BE. Në këtë lançim fushate sensibilizuese, merrnin pjesë edhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, si dhe bashkëshortja e Kryeministrit, Liri Berisha. Godo tha se: planifikimi familjar luan një rol të rëndësishëm në përmirësimin e shëndetit amtar, barazinë gjinore dhe reduktimin e varfërisë. Sipas saj, ndërsa viti 1991 e gjente Shqipërinë me një politikë pronataliste, 2009-a e gjen me një tendencë në rritje të përdorimit të metodave moderne kontraceptive. Ajo përmendi edhe strategjinë kombëtare të shëndetit riprodhues për 2009-ën, ku drejtimet kryesore janë:

parandalimi i shtatzënive të padëshiruara dhe sigurimi i alternativave kundrejt abortit, ulja e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë foshnjore e asaj amtare. Ndërsa ka theksuar se "në sektorin publik, kontraceptivët ofrohen falas në 413 qendra shëndetësore dhe konsultore të gruas në qytet e fshat. Në vitin 2010, MSH do të mbulojë 100% të kostos së shërbimit të planifikimit familjar në sektorin publik, ndërkohë që mbulon 90%". Nga ana e saj, Liri Berisha tha se "duhet të sigurohemi që mirëqenies së familjeve shqiptare t‘i paraprijë progresi shëndetësor. Hapja e fushatës u bë në të njëjtën javë me Ditën Botërore të Shëndetit të OBSH-së si një përpjekje e qartë për të ngritur ndërgjegjësimin për një çështje të rëndësishme të shëndetit publik dhe për të ofruar një zgjidhje të realizueshme. C- Change FP në Shqipëri po bashkëpunon me partnerë dhe organizata si UNICEF dhe UNFPA për të punuar me farmacistët dhe studentët në Tiranë e Vlorë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›