E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosnjë, mijëra njerëz nderojnë viktimat e masakrës serbe



Mijëra njerëz dhe lider nga rajoni e më gjerë nderuan dje viktimat e masakrës së Srebrenicës, në përvjetorin e 15-të të mizorisë më të egër në Europë, që prej Luftës së Dytë Botërore. Një kodër e tërë në qytetin lindor boshnjak u mbush me varre, që pritën 775 arkivolet e mbuluara me pëlhura të gjelbra, duke shënuar funeralin më të madh të organizuar në Srebrenicë deri tani. Viktima më e re e varrosur të dielën ishte 14 vjeç ndërsa më e vjetra 78 vjeç. Eshtrat e tyre u bashkuan me rreth 4.000 të varrosur tashmë në qendrën përkujtimore. Kufomave u janë bërë analizat e ADN-së. 1.844 viktima janë identifikuar, por skeletet e tyre përbëhen vetëm nga disa eshtra dhe të afërmit kanë refuzuar për t’i varrosur deri sa të gjenden të gjitha pjesët. Disa muaj pas masakrës, trupat serbe gërmuan varret masive me buldozerë dhe lëvizën viktimat në vende të tjera në një përpjekje të kotë për të fshehur provat e krimeve të luftës.
Të pranishëm
Shqipëria u përfaqësua nga Ministri i Jashtëm dhe zv. Kryeministri, Ilir Meta. Z. Meta u prit në ceremoni nga Presidenti i Bosnjës, Haris Silajdzic. Presidenti serb, Boris Tadiç ishte figura e parë e lartë politike që mbërriti të dielën në Srebrenicë, duke thënë se po vinte në një akt “pajtimi”. Disa në turmë bërtitën “Bravo, Boris!” ndërsa të tjerët pyesnin: “Ku është Mlladiç?”, duke iu referuar ish-gjeneralit serbo-boshnjak, Ratko Mlladiç, i cili udhëhoqi trupat serbe në Srebrenicë. “Unë dëshiroj t’ju mirëpresim, ne ju presim në paqe”, tha Kada Hotic, një përfaqësuese e grave të veja në Srebrenicë, ndërsa Tadiç mbante duart e saj. Tadiç tha se ai “do të bëjë gjithçka” që të arrestojë të gjithë të dyshuarit për krime lufte në Serbi. Vizitorë të tjerë ishin Kryeministri turk, Rexhep Tayip Erdogan, Presidenti slloven, Danilo Turk, Presidenti malazez, Filip Vujanoviç, diplomati austriak dhe administratori i Bosnjës, Valentin Inzko, ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian. Ambasadori amerikan në Bosnje, Charles English, lexoi një mesazh nga Presidenti, Barak Obama që bënte thirrje se “qeveritë duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre dhe të arrestojnë përgjegjësit e krimeve të luftës në Srebrenicë”. Obama e cilësoi genocidin në Srebrenicë një “njollë në vetëdijen tonë kolektive” që ka ndodhur disa dekada më vonë pas premtimeve se mizoritë naziste të Luftës së Dytë Botërore “nuk do të përsëriteshin më kurrë”.
Kush ishte fajtor
Shumë fajësojnë OKB-në për masakrën , pasi trupat përfaqësuese të saj në Srebrenicë, holandezët, nuk bënë as lëvizjen më të vogël për të parandaluar apo kundërshtuar masakrën. Në ceremoninë e djeshme nuk kishte të pranishëm përfaqësues nga Kombet e Bashkuara. Dështimi i paqeruajtësve të OKB-së për të mbrojtur viktimat e Srebrenicës është ngulitur në kujtesën e të gjithë boshnjakëve myslimanë. “Ata panë drejtpërdrejt genocidin” tha për AP i mbijetuari Munira Subashiç, i cili humbi 22 të afërm. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së në atë kohë, Kofi Anan, tha në një raport të vitit 1999, se Kombet e Bashkuara dështuan në Srebrenicë për shkak të gabimeve, gjykimit të gabuar dhe “një paaftësie për të njohur qëllimin e ligësisë që po konfrontoheshim”. Ai tha se OKB i ka trajtuar serbët dhe myslimanët në mënyrë të barabartë, kur në fakt ata duhet të kishin bërë një “gjykim moral”, se spastrimi etnik i kryer nga serbët, ishte i lig. Një studim i pavarur nga Instituti Holandez për Dokumentimin e Luftës i ka liruar nga përgjegjësia trupat holandeze, duke vlerësuar se ata ishin të paktë në numër, të armatosur lehtë, dhe sipas udhëzimeve duhet të hapnin zjarr vetëm për vetëmbrojtje. Megjithatë, Qeveria holandeze ka pranuar “përgjegjësinë politike” për dështimin e misionit, dhe ka dhënë dhjetëra miliona dollarë për Bosnjën, ku një e treta është rezervuar për rindërtimin e Srebrenicës.

Berisha
“Shpirtrat e fëmijëve, grave, të rinjve, të moshuarve, viktima të Srebrenicës, kërkojnë nga njerëzit e lirë, qeveritë e tyre dhe OKB-ja, drejtësi. Ata do të mund të prehen të qetë, vetëm atëherë kur xhelatët e tyre do të marrin dënimin më të rëndë që meritojnë. Sot është 15 vjetori i barbarisë më të pa parë, genocidit më të egër, më mizor, të pasluftës së dytë botërore, masakrës masive të Srebrenicës, në të cilën mbi 8 mijë civilë të vendosur nën mbrojtjen e trupave të OKB-së”, tha mes të tjerash Berisha.

Meta
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta u takua me familjarët e viktimave dhe vizitoi ekspozitën me rastin e përkujtimit të masakrës së Srebrenicës. Meta bëri homazhe dhe vendosi kurorë në përmendoren e ngritur për viktimat. “Srebrenica është krimi më i madh pas Luftës së II Botërore. Shpreh solidaritetin me popullin boshnjak dhe familjet e viktimave. Duhet të mësojmë shumë nga e kaluara që kjo të mos ndodhë më. Detyra jonë është të garantojmë një të ardhme më të sigurt në Ballkan”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›