E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosnjë, përkujtohet masakra e Srebrenicës, rivarrosen 731 trupa



Srebrenica përkujton sot 15-vjetorin e masakrës kundër burrave myslimanë, që konsiderohet si gjenocidi më i rëndë i ndodhur në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1995 në qytetin e Srebrenicës, zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara marshuan trupat serbe, të cilat mblodhën burrat dhe të rinjtë myslimanë të moshës 18 deri në 80 vjeç dhe më pas i vranë. Ushtarët e OKB-së, në mbrojtjen e të cilëve civilët e paarmatosur shpresonin, e panë këtë skenë pa ndërhyrë. Vitet e fundit, nga 275 varret masive në luginën e Drinit, lumi që ndan kufirin serbo-boshnjak u rivarrosën kufomat e 8.372 viktimave të masakrës së Srebrenicës, vetëm 6.557 prej tyre u identifikuan. Kjo nuk është shifra e fundit e civilëve të vrarë boshnjakë, pasi shumë konsiderohen ende të humbur. Manfred Eisele, Gjeneralmajor i këmbësorisë së Bundesverit, që përgatiti misionet e paqes të OKB-së nga viti 1994-1998, thotë se është e vështirë ta zbardhësh tërësisht këtë tragjedi. Rolin e shteteve europiane në konfliktin jugosllav dhe në Luftën e Bosnjës ai e sheh të bazuar në determinizmin historik: “Konfliket në Ballkan së paku që nga fillimi i shekullit të 20-të kanë luajtur një rol të rëndësishëm në kryeqytetet europiane. Ngjarja në këto kryeqytete në vitin 1995 në pjesën më të madhe u analizua mbi bazën e pozicioneve që këto vende i kishin marrë që në vitin 1914”. Eisele shpreh dyshime për aktorët përgjegjës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që të kenë pasur forcën dhe qëllimin t'i mbronin të 40.000 civilët myslimanë në zonën e Srebrenicës. Këtë e mbështesin edhe hulumtimet e fundit të gazetarit holandez, Hub Jaspers. Nga to del që superfuqitë në KS-së kishin informacione për planet serbe që para masakrës. “Këshilli i Sigurimit është përgjegjësi kryesor për atë që ka ndodhur në Srebrenicë. Qeveritë e shteteve anëtare kanë marrë informacione nga shërbimet e tyre sekrete për atë që po përgatitej. Por ato nuk i shfrytëzuan këto informacione. Nuk e penguan zhvillimin e kësaj tragjedie. Kjo është një nga pyetjet e mëdha që ende qëndron e shtruar mbi tavolinë: Përse?", shprehet Jaspers. Për gjenocidin në Srebrenicë bëhet sot përgjegjëse edhe qeveria holandeze. Kur përgjegjësit atëherë propozuan goditjen e forcave serbe nga ajri, Holanda kundërshtoi dhe ia doli mbanë. OKB nuk sulmoi, masakra ndodhi. Holanda kishte frikë për fatin e 450 ushtarëve të saj të stacionuar atje për mbrojtjen e enklavës.
Axel Hagedorn, avokat i rreth 8.000 i të afërmve të viktimave, përpiqet të arrijë në Gjykatën Evropiane dhe Gjykatën e Lartë në Holandë heqjen e imunitetit të OKB-së. "OKB ka përgjegjësi të qartë, pasi ajo duhej të vendoste kundër vullnetit të holandezëve: "Ne duhet të ndalojmë këtu gjenocidin masiv". Po qe se OKB del para drejtësisë, atëherë Holanda nuk mund t'ia pasojë fajin OKB-së dhe OKB-ja Holandës. Premtimi i pambajtur është trauma më e madhe sa kohë që as OKB as Holanda nuk kërkojnë ndjesë”. Ndërkohë Srebrenica është gati “e pastruar etnikisht”, aty jetojnë 3-5 për qind myslimanë, shumica gra në kërkim të të afërmve. Kërkimi për viktimat vazhdon me hapa të ngadaltë. Sot do të varrosen në Potoçar një grup tjetër viktimash, edhe 731 kufoma të identifikuara.

SHBA-Rusi, vihet në jetë plani për shkëmbimin e agjentëve

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë shkëmbyer 10 spiunë të arrestuar muajin e kaluar në Shtetet e Bashkuara për katër agjentë të burgosur në Rusi. Shkëmbimi ndodhi në një seksion të veçantë të aeroportit ndërkombëtar të Vienës ku autoritetet nuk lejuan praninë e medias. Dy avionë, njëri nga Nju Jorku dhe tjetri nga Moska, arritën në kryeqytetin austriak dhe u ndaluan përkarshi njeri-tjetrit ndërkohë që u bë shkëmbimi. Avioni nga Ministria Ruse e Situatave Emergjente u ul në aeroportin Domodedovo të Moskës me 10 agjentët rusë. Ndërsa avioni amerikan u ndalua për pak kohë në bazën ajrore angleze Brize Norton, ku zyrtarët amerikanë thanë se dy prej të katër të shkëmbyerve zbritën nga avioni, para se avioni të përfundonte udhëtimin në aeroportin ndërkombëtar Dulles jo larg kryeqytetit amerikan. 10 të arrestuarit në Shtetet e Bashkuara pranuan fajin të enjten. Një person tjetër i rrjetit u arrestua në Qipro por u lirua me kusht. Tani ai figuron i kërkuar.

Hagë
Haradinaj, Apeli vendos më 21 korrik

Vendimi i Apelit në çështjen që ka të bëjë me ish-kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, do të jepet më 21 korrik. Lajmin e kanë bërë të ditur burime pranë gjykatës së Hagës, të cilat citohen nga agjencitë e lajmeve. Haradinaj, bashkë me dy udhëheqës të tjerë të UCK-së, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj u paraqitën në Hagë në vitin 2007, pas akuzave të ngritura për krime lufte, krime kundër njerëzimit, si dhe vrasje e tortura ndaj civilëve serbë. Në prill të vitit 2008, Haradinaj dhe Balaj u shpallën të pafajshëm, ndërsa Brahimaj u dënua me 6 vjet burg për kryerjen e torturave.

Kore e Veriut
Pranon të rifillojë bisedimet për programin atomik

Koreja e Veriut është treguar e gatshme për rifillimin e bisedimeve gjashtëpalëshe për programin e saj atomik. Në një deklaratë për shtyp të Ministrisë së Jashtme në Penian, thuhet se Koreja e Veriut dëshiron që përmes këtyre bisedimeve të arrijë marrëveshjen e paqes të bazuar në barazi. Shteti komunist ka ndërprerë bisedimet me Shtetet e Bashkuara, Kinën, Rusinë, Japoninë dhe Korenë e Jugut në prill të vitit 2009 pas një prove bërthamore. KS-ja dënoi fundosjen e një anije luftarake koreano-jugore, por nuk bëri drejtpërdrejt përgjegjës për këtë Korenë e Veriut.

12 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›