E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi: “Deklaratat e Tadiç janë të frustuara”



“Presidenti i Serbisë po bën deklarata të frustruara”. Kështu është shprehur ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi lidhur me deklaratën e Tadiç ndaj pohimeve të ministrit Rexhepi për masat që parashihen të ndërmerren në veri, duke i cilësuar ato si deklarata “luftënxitëse”. Ministri Rexhepi thotë se Tadiç nuk e ka interpretuar mirë deklaratën e tij dhe ka provuar sërish që të nxisë komunitetin serb në Kosovë. “Kjo është një deklaratë e frustruar e Tadiçit, i cili edhe më tutje ka iluzione për Kosovën. Ai nuk mund të ndërhyjë në punët tona të brendshme se çfarë bëjmë ne për vendosjen e rendit dhe ligjit. Prandaj, e ftoj që të merret me problemet e Serbisë, sidomos pas debatit që pësoi në Nju Jork. Kjo është për opinion të brendshëm dhe si e tillë ka dalë deklaratë e pamatur e tij”, thotë Rexhepi. Në anën tjetër, presidenti serb, Tadiç, i ka vlerësuar si kërcënim të hapur për luftë deklaratat e ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, sidomos paralajmërimet që, sipas tij, i kishte bërë Rexhepi për dërgimin e njësive speciale të policisë në veri. Tadiç ka deklaruar se institucionet e Kosovës do të jenë përgjegjëse për pasojat katastrofike që do të sillte realizimi eventual i këtyre kërcënimeve. Një sqarim lidhur me veprimet në veri e ka dhënë edhe shefi i misionit të EULEX-it, Iv de Kermabo.
Në deklaratën e tij, mes tjerash, thuhet se “nuk ka pasur asnjë marrëveshje lidhur me dërgimin e Njësiteve Speciale të Policisë në atë zonë dhe se EULEX-i po punon me të gjitha palët drejt themelimit dhe trajnimit të një njësiti special policor shumetnik”. Përndryshe, shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo, ka vlerësuar se pas incidenteve të fundit, situata në pjesën veriore të Kosovës është e qetë, duke kërkuar nga të gjitha palët e përfshira të përmbahen nga çfarëdo lloj aktiviteti që do të mund të shihej si provokim i mundshëm.

12 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›