Kasat fiskale, Tatimet dhe Financat gati fushatën sensibilizuese për bizneset
Ervin KOÇI
Vonesat dhe problemet e tjera që janë shkaktuar në procesin e instalimit të kasave fiskale, kanë detyruar institucionet shtetërore që merren me këtë punë që të planifikojnë një skemë ndryshe. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po planifikon realizimin e një fushate mediatike, me qëllim sensibilizimin e përfaqësuesve të biznesit, në lidhje me procesin e pajisjeve me kasa fiskale. Burime zyrtare nga ky institucion bëjnë të ditur se, kjo fushatë do të bëhet pasi bizneset kanë krijuar opinionin sikur ky proces është pezulluar. Në fakt, procesi është në zhvillim, por ka rënë interesimi nga ana e bizneseve. Në këtë mënyrë, Tatimet do të sqarojnë procedimin e mëtejshëm të procesit të pajisjes me kasa fiskale për biznesin e vogël dhe për të gjitha bizneset e tjera, që nuk janë pajisur akoma me këto mjete. Krijimi i kësaj situate të paqartë, erdhi për shkak se ky proces u ndërpre për disa javë. Ministria e Financave nxori një rregullore të re dhe urdhëroi hedhjen në treg të një kategorie tjetër të kasave fiskale, me një cilësi më të lartë. Kjo pasi u konstatua se përmes kasave fiskale, që ishin instaluar deri në atë kohë, mund të kishte ndërhyrje në sistemin e të dhënave. Ndërkohë, afatet janë kapërcyer dhe njëkohësisht ka rënë edhe interesimi i bizneseve, por kjo gjë nuk mund të thuhet kurrsesi për tatimorët. Ata kanë vijuar gjatë këtyre kohëve me aksionet e tyre si dhe me vendosjen e gjobave ndaj subjekteve që janë kapur pa kasa fiskale në aktivitetin e tyre.
Afatet
Data 30 qershor 2010 përbënte dhe afatin e fundit zyrtar për biznesin e vogël për t'u pajisur me kasa fiskale. Ajo përfshinte të gjitha personat e regjistruar në biznesin e vogël, të cilët ushtronin veprimtari në bashkitë e Tiranës, të Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Lushnjës, Beratit, Sarandës, Korçës, Pogradecit, Elbasanit, Shkodrës e Lezhës. Po brenda këtij afati subjektet ishin të detyruar të mbanin regjistrime, nëpërmjet pajisjeve fiskale edhe tatimpaguesit e biznesit të vogël në komunat Shëngjin, Golem, Rashbull, Orikum, Himarë dhe Ksamil. Ndërsa brenda periudhës dhjetor 2010, të gjithë tatimpaguesit e tjerë të biznesit të vogël duhet ta përfundojnë këtë proces. Por, ky i fundit ka hasur në vonesa administrative, duke qenë se për dy muaj u pezullua nga vetë MF-ja, në pritje të daljes së udhëzimit të ri të ministrit. Kompanitë e licencuara, për të tregtuar pajisjet fiskale duhej që përpara se të nisnin punën për shitjen dhe instalimin e pajisjeve të reja të certifikuara, të merrnin autorizimin për kalimin e testit fizik të pajisjeve të tyre.
Procesi
Sipas drejtuesve të kompanive të licencuara, ky proces nuk ka mbaruar ende për të gjitha subjektet. Vetëm nëse komisioni i ngritur nga Ministria e Financave jep miratimin se pajisja funksionon si duhet dhe se transmetimi i të dhënave bëhet në kohë reale, atëherë kompanitë kanë të drejtë të furnizojnë subjektet e vogla që futen për herë të parë në këtë skemë. Ndërkohë, biznesi i madh dhe ai i mesëm kanë hyrë më parë. Në vend janë regjistruar mbi 90 mijë biznese të vogla dhe vetëm në Bashkinë e Tiranës, në fund të vitit 2009, numëroheshin rreth 20 mijë të tilla. Ato që kanë nga 1- 4 punonjës, përbëjnë rreth 92% të tyre. Fatura financiare për zbatimin e ndryshimeve të fundit mbi kasat fiskale do të përballohet nga vetë kompanitë e autorizuara. Kjo faturë konsiderohet e lartë pasi, siç thonë edhe vetë drejtuesit e tyre, ka të bëjë me sisteme të avancuara programimi, të përgatitura nga inxhinierë profesionistë. Mesatarisht, një kasë fiskale (tani me Udhëzimin e ri) do të kushtojë rreth 450 euro me modem.
BB: Shqipëria, përparim në lehtësirat për biznesin e huaj
Shqipëria ka ndërmarrë reforma të mëdha në përmirësimin e klimës së biznesit. Kjo vihet në dukje në raportin e hartuar nga Banka Botërore, Korporata Ndërkombëtare Financiare dhe Grupi i Bankës Botërore, i cili analizoi katër indikatorë bazë për lehtësitë e investimeve të huaja në 87 vende të botës. Në raport thuhet se me një vlerësim 95% në investimet në të gjithë sektorët, Shqipëria ka tejkaluar me 5 për qind vendet e OECD-së, 25 vendet më të zhvilluara, dhe me 2 për qind vendet e rajonit që përfshijnë Europën Juglindore dhe Azinë Qendrore. Raporti merr në analizë tregues të tillë si investimi në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, hapja e një biznesi të huaj në vend, përdorimi i tokës, apo marrja me qira e saj dhe gjykimi i mosmarrëveshjeve tregtare. Në investimet në sektorë të ndryshëm, raporti thotë se 30 nga 33 sektorë janë plotësisht të hapur për investime të huaja. Për të hapur një biznes të huaj në Shqipëri duhen 7 procedura dhe 7 ditë, më shpejt se në vend e zhvilluara dhe të rajonit. Një kompanie të huaj nuk i duhet të marrë miratim për të investuar, thotë raporti, edhe pse për të hyrë në sektorin e tregtisë ndërkombëtare duhet të regjistrohet në doganë, në mënyrë që të importojë të mira. Në këtë indikator Shqipëria është vlerësuar 98%, në një kohë që vendet e Europës dhe Azisë Juglindore dhe rajoni me 71%. Toka industriale dhe gjykimi i mosmarrëveshjeve tregtare janë vlerësuar gjithashtu me 70 dhe 68% vlerësim i njëjtë me vendet e rajonit.
Shkurt////////////////////////
Tatimet, kontroll subjekteve të tregtimit të lëndëve drusore në Durrës
Një aksion i përbashkët midis Drejtorisë së Pyjeve dhe Drejtorisë Rajonale të Tatim-Taksave në Durrës ka nisur ndaj të gjitha subjekteve juridike dhe fizike që tregtojnë dhe përdorin lëndë drusore si bazë të aktivitetit të tyre. Dëmtimi i pyjeve nga prerjet masive të drurëve për qëllime fitimi është një nga problemet më të mprehta mjedisore në vend, prandaj grupet e kontrollit kanë dalë në terren për të verifikuar origjinën drusore që tregtohet e përdoret, si dhe kontrollojnë shlyerjen e rregullt të detyrimeve tatimore. Kontrollet që kanë nisur do të realizohen kryesisht në 10 subjekte të biznesit të madh që tregtojnë lëndë drusore, kryesisht për nevoja të sektorit të ndërtimit, si dhe në 25 subjekte të tjera që i përkasin biznesit të vogël, si baxho bulmeti dhe furra pjekjeje. Marrja e masave kundër zjarrit në këtë stinë të nxehtë, ka qenë një tjetër objekt i kontrollit të inspektorëve të pyjores në këtë fundjavë. Aksioni është mbështetur nga forcat e policisë së rendit dhe ato zjarrfikëse.
Euro fillon të stabilizohet sërish, fiton terren ndaj lekut
Euro, ndryshe nga sa pritej po fiton gradualisht terren në raport me lekun. Monedha europiane gradualisht po kap nivele të larta pas rënies së ndjeshme në javët e shkuara. Megjithatë kursi i këmbimit të lekut me monedhat kryesore të huaja paraqitet përgjithësisht i stabilizuar në këto ditë të korrikut. Kështu në mesditën e të shtunës në tregun valutor të Tiranës një euro këmbehej në blerje me 136.3 lekë dhe në shitje me 136.8 lekë. Këto vlera janë rreth 3 lekë më pak se kursi zyrtar i këmbimit i fiksuar nga Banka Qendrore në mesditën e 9 korrikut. Sipas këtij kursi monedha europiane euro vazhdon vlerësimin gradual në raport me lekun ndryshe nga sa ndodh me monedhat e tjera, të cilat kanë humbur pikë. Kjo ka ndodhur edhe me dollarin i cili sipas kursit zyrtar është këmbyer me 107.8 lekë, vlerë kjo pothuaj e njëjtë edhe për tregun e valutave të Tiranës. Por me gjithë tendencat afatshkurtra ekspertët presin ndryshime të tjera në kursin e këmbimit veçanërisht për euron, e cila ka pritshmërinë e vlerësimit për shkak të prurjeve të emigrantëve dhe ardhjeve të turistëve.
12 Korrik 2010