Tronditet Tirana dhe Elbasani nga një tërmet 6 ballësh
Tërmeti me epiqendër në afërsi të Kërrabës, i regjistruar mesnatën e së premtes, tronditi banorët e Tiranës dhe të Elbasanit. Në këto qytete janë ndjerë lëkundje të forta tërmeti, por nuk janë shkaktuar dëme materiale. Sipas Institutit të Gjeoshkencave në Tiranë, epiqendra e tërmetit ka qenë një zonë në afërsi të Kërrabës, rreth 24 km në juglindje të Tiranës dhe 15 kilometra në veriperëndim të qytetit të Elbasanit. Sipas specialistit të këtij instituti, Hamza Reçi, ”tërmeti me magnitudë 4.7 të shkallës Rihter dhe me intensitet 6 ballë, u regjistrua në orën 00.15 dhe zgjati rreth gjashtë sekonda”. Ekipi i emergjencave është lajmëruar menjëherë, ka shkuar në vendngjarje dhe nga të dhënat që ka marrë deri tani Instituti Kombëtar i Gjeoshkencave, nuk ka pasur dëme materiale. Specialisti i këtij instituti thotë se "tërmeti i regjistruar është normal për rajonin në fjalë dhe nuk mund të futet në tërmetet e forta. Magnituda 4.7 të shkallës Rihter janë të moderuar, që thjesht ndihen". Tërmeti është shoqëruar nga lëvizje të tjera sizmike, të magnitudave më të uëlta se 2.8 Rihter. Sipas Reçit, tërmete të kësaj shkalle nuk ndihen nga njerëzit, por ndodhin normalisht. Frika Tërmeti i regjistruar në minutat e para të ditës së shtunë shkaktoi frikë te banorët e qytetit të Tiranës. Në momentet që u ndje tërmeti, shumë njerëz dolën në rrugë. Ata treguan se u ndjenë të pasigurt në banesat e tyre. “Paniku që është krijuar te popullata është normal, tronditja është ndier shumë duke qenë se banojnë afër zonës sizmike”, - shprehet Reçi. Sa më afër epiqendrës së tërmetit të ndodhesh, aq më shpejt kalon vala e tërmetit. Sa më afër zonës sizmike të jenë banorët, aq më të forta do të ndihen goditjet. Tirana, sipas specialistit Reçi, nuk përbën rrezikshmi pasi regjistrohet si zonë me intensitete mesatare, ndryshe nga disa zona të vendit ku rrezikshmëria është më e lartë. Tërmetet e deritanishme të gjeneruara nga kjo zonë janë me magnitudë deri në 5.4 Righter dhe me intensitet deri në 7 ballë. Specialistë e këtij instituti thonë se ndërtimet duhet të kryhen sipas studimit të përgatitur nga ata, ku tregohen se cilat janë parametrat maksimale për të përballuar tërmetet me intensitet më të lartë për zonën. Në të kundërt, ndërtesat që nuk janë bërë sipas këtij studimi rrezikojnë shembjen në raste tërmeti. Zonat Zonat me rrezikshmëri më të lartë të klasifikuara si zonat sizmogjene përsa i përket rrezikshmërisë në vendin tonë, janë: zona Vlorë-Elbasan-Dibër, zona e Shkodrës dhe zona e liqenit. Këto janë edhe vendet ku deri tani janë regjistruar veprime të fuqishme sizmike. Aktivitetet sizmike të kësaj shkalle janë ndier herë pas here në vendin tonë. Shqipëria është regjistruar te vendet që kanë aktivitet të lartë sizmik. Specialistët e Institutit tregojnë se zona e Ballkanit është një zonë me aktivitet të lartë sizmik. Gjatë vitit të fundit janë regjistruar disa tërmete me intensitet 6 ballë. Vetëm pak muaj më parë në Dibër u regjistrua një termet që shkaktoi dëme në banesat e banorëve të zonës. Instituti i Gjeoshkencave, pas ndryshimeve që u bënë tre vjet më parë nga qeveria, nuk është më pjesë e Akademisë së Shkencave, por është përfshirë brenda Universitetit Politeknik të Tiranës. Ky institut drejtohet nga një këshill drejtues i përbërë nga 7 anëtarë, të cilët emërohen nga ministri për një afat 4-vjeçar me të drejtë përsëritjeje një herë. Ata nuk mund të jenë persona të punësuar në Shërbimin Gjeologjik Shqiptar, me përjashtim të drejtorit të Përgjithshëm, si dhe nuk mund të jenë persona që kanë lidhje të drejtpërdrejtë ose interesa me këtë shërbim.
Instituti nuk ka fonde dhe bazë materiale
Specialistët e Institutit të Gjeoshkencave tregojnë se nuk ka fonde për mirëmbajtjen e pajisjeve dhe të bazës materiale për të realizuar studime. Ata vënë në dukje faktin se Instituti ka probleme, por askush nuk kujtohet për t’i zgjidhur. Sipas tyre, ky institut nuk ka asnjë financim për mirëmbajtjen e rrjetit të monitorimit të aktivitetit sizmik. “Pajisjet janë të reja dhe të kohës, por duhen mirëmbajtur dhe për këtë ne nuk kemi fonde”, - shprehet specialisti i këtij instituti, Hamza Reçi. Përsa u përket kushteve të Institutit, ka mungesa të bazës materiale për të kryer studime që janë të domosdoshme për njohjen e aktivitetit sizmik në vendin tonë. Reçi thotë se kanë nevojë për një bazë materiale për të realizuar studime sizmologjike në zonat makro-urbane, pasi deri tani Instituti është kufizuar në realizimin e tyre vetëm me aq sa i lejojnë mjetet që ata kanë në dispozicion. Specialisti Reçi tregon se Instituti Kombëtar i Gjeoshkencave ka një rrjet të monitorimit të aktivitetit sizmik të vendit që përdor rrjetin e komunikimit satelitor. Nëpërmjet këtij rrjeti bëhet shkëmbimi i të dhënave në kohë reale përsa u përket aktiviteteve sizmologjike me Italinë dhe Greqinë. Ndërsa godina e Institutit të Gjeoshkencave duket sikur sapo është goditur nga një tërmet, pasi në brendësi të saj kryhen punime. Godina po i nënshtrohet një rikonstruktimi të plotë pasi kishte nevojë për rregullime. Specialistët tregojnë se është dhënë një fond për rregullimin e godinës së Institutit.
Rama inspekton punimet në Selitë
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, inspektoi dje punimet që po kryhen në Selitë për rikonstruktimin e bllokut të banimit numër 79. Rama u premtoi banorëve të kësaj zone se shumë shpejt pamja e këtij blloku banimi do të ndryshojë tërësisht. Punimet që po kryhen në bllokun e banimit 79 kanë si qëllim rehabilitimin e aksit rrugor dhe shtimin e hapësirave çlodhëse. Sipas kreut të Bashkisë, ky projekt parashikon asfaltimin dhe rehabilitimin e rreth 6 km rrugë të brendshme, sistem ndriçimi, hapësira të gjelbra dhe rikonstruksioni i rrjetit të kolektorëve dhe pusetave të ujërave të bardha e të zeza. Gjatë fjalës tij Rama u premtoi banorëve të Selitës se projekti do të vazhdojë dhe deri në vjeshtën e ardhshme do të mbillen 500 pemë, do të krijohen vende parkimesh dhe hapësira çlodhëse për pleqtë dhe kënde argëtuese për fëmijët. Në këtë zonë ishte dëmtime në shtresat e asfaltit, në kanalizime dhe sistemin e ndriçimit. Rehabilitimi i këtij aksi rrugor do të jetë konform të gjitha standardeve bashkëkohore.
Gjobitet me 2 milionë lekë Spitali i Krujës
Inspektorati i Mjedisit ka gjobitur me 2 milionë lekë Spitalin rajonal të Krujës për shkak të ndotjes së ambientit me mbetje spitalore. Nga të dhënat e Inspektoratit bëhet e ditur se ky spital nuk vepronte konform rregullave në lidhje me djegien e mbetjeve spitalore në vende të caktuara. Inspektorati vendosi ta gjobisë këtë subjekt pasi mbetjet spitalore të këtij institucioni digjeshin në ambient të hapur, duke shkaktuar kështu shumë probleme shëndetësore për banorët e zonës përreth. Ankesa është bërë nga banorët e fshatit Nuaj, ku bëhej grumbullimi dhe djegia e mbetjeve spitalore. Banorët e këtij fshati ankohen për sëmundje të rënda në mushkëri dhe dëmtime në bujqësi dhe blegtori. Ata gjithashtu u kanë bërë apel të gjitha instancave përkatëse të marrin masat e duhura për të shmangur epidemitë e mundshme duke qenë se ajo zonë është e populluar. Për të njëjtën arsye edhe për poliklinikën e Fushë Krujës masa e marrë ishte gjobë me 1 milion lekë. Edhe firma e pastrimit që i grumbullonte këto mbetje në këtë zonë u gjobit me 500 000 lekë për shkak se ky aktivitet ishte i pa ligjshëm dhe se ajo nuk kishte marrë lejë për djegien e këtyre mbeturinave.
12 Korrik 2010