E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT, ekonomia shqiptare u rrit në masën 2 për qind në fillim të vitit



Instituti i Statistikave, publikoi dje të dhënat për 3-mujorin e parë të vitit, duke përcaktuar një rritje prej 2 për qind të ekonomisë në vend. Në krahasim me 3-mujorin e fundit të vitit 2009, rritja është 1.8 për qind. Nga të dhënat zyrtare, rezulton se degët që kanë pasur më shumë rritje, kanë qenë industria, transporti dhe tregtia. Të përkthyera në shifra, në industri përcaktohet një rritje me 27.5 për qind, në transport 11.4 për qind dhe në tregti, një rritje prej 4.8 për qind, gjithnjë në krahasim me tre muajt e parë të vitit të kaluar. Sektori që u paraqit me rënie në këtë 3-mujor, ishte ndërtimi, që shënoi një rënie prej 21.1 për qind krahasuar me vitin 2009. Në bazë të shifrave, rezulton se në sektorin e ndërtimit, jo vetëm që nuk bëhet fjalë për rritje, por ka një rënie prej 21.1 për qind. Rënia në sektorin e ndërtimit, në këtë 3-mujor të parë të vitit, është më e ulët në krahasim me tre muajt e fundit të vitit të kaluar, që kap shifrat në masën 4.3 për qind. Për sa i përket sektorit me rritje më të madhe, është ai i industrisë, që rritjen në 3-mujorin e parë të vitit të kaluar e kishte 27.5 për qind. Rritje kjo shumë e konsiderueshme. Ndërsa grupi i tregtisë, hoteleve dhe restoranteve, llogaritet se ka një rritje prej 4.8 për qind dhe transporti me 11.4 për qind. Në sektorin e bujqësisë ka një rritje prej 2.3 për qind në krahasim me vitin e shkuar. Sipas INSTAT, publikimi i të dhënave për çdo 3 muaj, ka si objektiv kryesor dhënien e informacioneve sa më koherent në lidhje me ekonominë në vend dhe ecurinë e saj. “Të dhënat, japin informacionin e parë të disponueshëm për tre mujorin e parë të vitit 2010, në lidhje me PBB-në 3-mujore, të shprehur në terma volumi të zhveshura nga efektet sezonale. Statistikat për periudhën në të cilën po referohemi, janë të bazuara në informacionin e mbledhur deri në muajin qershor të vitit 2010, dhe janë subjekt i revizionimeve të mëvonshme me përmirësimin e informacionit në të ardhmen”,- thekson INSTAT. Sipas tij, për vlerësimin e PBB-së, tremujore është përdorur një metodë indirekte. Konsiderohet si një metodë indirekte, sepse të dhënat tremujore që disponohen, përdoren për të prodhuar vlerën e shtuar tremujore, duke u bazuar në raportet që zënë këta indikatorë. Kjo metodë bazohet në supozimin se për periudhën në të cilin po analizojmë, raporti midis vlerës së shtuar dhe prodhimit, është konstant.

12 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›