E Diel, 1 Nëntor 2026

Rriten taksat mbi pagën, maksimalja taksohet deri në 700 lekë në muaj



Qeveria ka miratuar një vendim i cili rrit kontributet e sigurimeve për të gjithë të punësuarit me paga të larta, por edhe ata me paga minimale si në shtet ashtu edhe në privat. Vendimi i fundit i qeverisë, e bën pagën maksimale për efekt të përllogaritjes së kontributeve nga 80 mijë e 600 lekë në 84 mijë e 100 lekë. Si pasojë e këtij vendimi, për të gjithë ata që kanë një pagë mujore më të madhe se 84 mijë lekë, taksat mbi pagën rriten nga 400 deri në 500 lekë në muaj. Në rastin e të punësuarve në sektorin privat, efekti është i dyfishtë, pasi prek jo vetëm punonjësit, por edhe bizneset. Për këto të fundit, efekti financiar është edhe më i madh, gati 600-700 lekë në muaj, shtesë në taksa për çdo të punësuar me pagë më të lartë se 84 mijë lekë. Ndërsa për punonjësit e regjistruar me pagë minimale, kontributet rriten me 70 deri në 100 lekë në muaj. Ministria e Financave ende nuk e ka sqaruar se cili është efekti financiar i kësaj mase në buxhet, por përmes këtij vendimi qeveria rikuperon përmes rritjes së taksave, një pjesë të parave që do përdorë për rritjen e pagave. Të njëjtën gjë MF-ja bëri edhe me pensionet, ku menjëherë pas rritjes së tyre më 1 korrik ajo nxori një vendim mbi bazën e të cilit rritej pagesa e kontributit për të gjitha llojet e sigurimeve. Kjo pagesë njësoj si në rastin me taksën mbi pagat, do të jetë më e lartë për sektorin privat, i cili tani duhet të paguajë më tepër kontribute për të siguruar punonjësit. Sipas vendimit të vjetër, paga minimale mbi të cilën llogariteshin këto detyrim ishte 16.120 lekë, tashmë ajo ka shkuar në 16.820 lekë duke pësuar një rritje pre 700 lekësh. Në kuadër të këtij ndryshimi, automatikisht pëson rritje edhe masa minimale mujore e kontributeve, për të gjitha degët e sigurimit duke shkuar nga 4497 lekë në total për muaj, në 4693 lekë në muaj. Sipas këtij ndryshimi, shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuarit dhe për pjesëtarët e familjes, të patrajtuar me pagë, do të jetë 7 për qind e pagës minimale mujore, e barabartë me 1177 lekë.

12 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›