E Hënë, 2 Nëntor 2026

Furnizimi i ujit në Tiranë, riparimet e defekteve mbyllen në fund të verës



Ervin KOÇI

Problemi i mosfurnizimit me ujë të pijshëm i disa zonave periferike të kryeqytetit duket se do të vijojë për gjatë gjithë stinës së verës. Shkak për këtë janë bërë lidhjet e paligjshme në tubacionet qendrore të ujësjellësit, çka kanë detyruar Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës që të nisë një aksion në shkallë të gjerë për t’i shkëputur ato. Por kjo gjë ka lënë pa ujë edhe abonentët e rregullt të UKT-së, të cilët aktualisht po thahen për ujë edhe pse e paguajnë atë. Për ta sqaruar këtë situatë, Ndërmarrja e UKT-së ka reaguar sidomos pas shqetësimit të shprehur nga banorët e lagjes 1 në zonën e Shkozës, të cilët prej tre javësh përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Drejtori i UKT-së, Sahit Dollapi, deklaroi dje se në këtë zonë po bëhet një investim për të shkëputur nga rrjeti lidhjet e paligjshme, të cilat rrezikojnë cilësinë e ujit dhe kjo është arsyeja e thatësirës. Investimi pritet të zgjasë rreth një muaj e gjysmë dhe pasojat do t’i vuajnë edhe abonentët që kanë kontratë. Por sipas Dollapit, nuk bëhet fjalë për një “ndëshkim kolektiv”, por për një “ndëshkim” teknik. “Investimi ka filluar dhe mund të zgjasë një muaj- një muaj e gjysmë, pasi e gjithë zona është informale, është pa rrjet shpërndarës dhe ka marrë në mënyrë të paligjshme ujin”- deklaroi Dollapi në një prononcim për shtyp. Sipas tij, rreth 95 për qind e banorëve të këtyre zonave nuk paguajnë faturat, por ai insiston se ky nuk është një ndëshkim kolektiv.

Oraret
Investimi për riparimin e rrjetit ekzistues të ujësjellësit në zonën e Shkozës do të zgjasë gjatë gjithë stinës së verës, por edhe pas përfundimit të tij, banorët që paguajnë rregullisht detyrimet ndaj ujësjellësit nuk do të kenë më ujë 24 orë pa ndërprerje, si më përpara. Drejtori i UKT-së, Sahit Dollapi, deklaron se do të vendosen orare, ashtu si edhe në zonat e tjera të Tiranës. Kreu i Ujësjellësit të Tiranës deklaron se, “me përjashtim të unazës së re, nuk ka zona të tjera në kryeqytet që të kenë probleme në furnizimin me ujë të pijshëm”. Ndërkohë objektivi për të pasur ujë në çezmat tona 24 orë, ashtu si qeveria ka premtuar mbetet evaziv. Sipas Dollapit, kjo do të ndodhë brenda këtij mandati qeverisës. Por banorët e lagjes nr. 1 të Shkozës prej tre javësh vuajnë mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm. Mbi 150 familja nuk kanë ujë në çezmat e tyre dhe situata bëhet më e rëndë për shkak të temperaturave të larta të verës. Banorët janë të detyruar të mbushin ujë me krahë në zonat e tjera të Tiranës, apo ta blejnë atë për të plotësuar nevojat e përditshme. Banorët thonë se, janë ankuar pranë Ndërmarrjes së UKT-së por nuk kanë gjetur zgjidhje. Madje ata thonë se i kanë dërguar një letër edhe kryeministrit të vendit. Të shqetësuar, banorët u tremben epidemive veçanërisht në këto ditë të nxehta.

Fenomeni
Në Tiranën e viteve 2010, kur qeveria Berisha premton epokën e internetit, qytetarët nuk kanë ujë të pinë. Ujësjellësi i Tiranës, drejtpërdrejtë në administrim të Ministrisë së Transporteve, jo vetëm që nuk shqetësohet të përmirësojë furnizimin e atyre zonave që tradicionalisht vuajnë për ujë, por penalizon dhe lagje që kanë pasur furnizim. Në vend që të synohet përmbushja e një të drejte elementare të njeriut, këto ditë po bëhet e kundërta. Lagje të tëra në kryeqytet, sidomos ato afër malit të Dajtit, por edhe në zonën e Selitës dhe Komuna e Parit, të cilat më parë kanë pasur furnizim të mirë me ujë të pijshëm, për shkak dhe të pozicionit të tyre, papritur, po përballen me thatësirën, si të ishin jo në Shqipëri, por në shkretëtirat e Afrikës. Banorët, të papërgatitur nga vendimet drastike të Ujësjellësit të Tiranes, vuajnë nga përballimi i nevojave me elementare për jetën e përditshme. Situata rëndohet edhe për shkak të stinës së nxehtë dhe rrezikon të kthehet në emergjencë sanitare. Nuk është e para herë që të drejtat e qytetarëve shkelen nga institucionet shtetërore, po të kujtojmë problemet e faturimit të ujit dhe të dritave.

As uji i ambalazhuar nuk ka më siguri

Jo vetëm uji i rubinetave të çezmave, por tashmë as uji i ambalazhuar që na servilet si produkt luksi dhe plot reklamë nuk ka më siguri. Abuzime dhe shkelje janë konstatuar me ujin e ambalazhuar që disa subjekte në Tiranë, ku nga analizat e bëra u verifikua se uji ishte jashtë parametrave për t’u konsumuar. Për pasojë inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit së bashku me Inspektoratin Ushqimor të Tiranës kanë mbyllur përkohësisht aktivitetin e 5 subjekte të ambalazhimit dhe tregtimit të ujit të pijshëm me bidonë 6 litra. Kjo masë është ndërmarrë pas disa inspektimeve në këto subjekte të cilave u janë lënë detyra për të përmirësuar situatën. Në Tiranë ka me dhjetëra subjekte që tregtojnë ujin e pijshëm me bidonë 6 litërsh dhe shumica e tyre punojnë krejt jashtë standardeve. Sipas AKU-së, në qarkun e Tiranës ushtrojnë aktivitetin 11 subjekte të ligjshme që etiketojnë, ambalazhojnë dhe tregtojnë ujë. 7 nga këto subjekte janë plotësisht të mekanizuara, por vetëm dy prej tyre janë të certifikuara me certifikatat e cilësisë dhe sigurisë ISO dhe HAÇAP.

Shkurt///////////////////////////////
Nepravishta: Kujdes në menaxhimin e ujit në kaskadën e Drinit

Fundi i muajve të lagësht kërkon një kujdes të shtuar për menaxhimin e situatës hidrike në kaskadën e Drinit. Këtë apel për drejtuesit e KESH-it e ka bërë dje kreu i ERE-s, Bujar Nepravishta, i cili thekson se situata e favorshme aktuale kërkon edhe një menaxhim më perfekt. "Kemi një situatë elektroenergjetike të favorshme. Aktualisht niveli i Fierzës është mbi 292 metra. Natyrisht për këtë periudhë është një nivel i mirë. E rëndësishme është që kaskada të administrohet me shumë kujdes në mënyrë që të koordinohet importi me prodhimin e vendit në mënyrë të tillë që efektiviteti i prodhimit të energjisë elektrike të jetë sa më i lartë. Kjo eficiencë e lartë bën që për të njëjtën sasi uji të kemi një prodhim më të madh të energjisë elektrike",- tha Nepravishta. Sipas treguesve të përditshëm prurjet në kaskadën e Drinit janë në nivelet e tyre më të ulëta për këtë vit, por parashikimet janë që ato të kenë rënie deri në fund të muajit shtator.

Rritet konsumi i bananes, fruta ekzotike e preferuar nga shqiptarët

Shqiptarët janë bërë konsumatorë të mëdhenj të bananes. Në vitet e fundit konsumi i kësaj frute ekzotike ka njohur rritje progresive dhe kjo shfaqet edhe në sasinë e importuar gjatë këtij viti. Ditën e premte në Portin Detar të Durrësit përfundoi shkarkimi i një ngarkese prej 949 tonësh me banane. Anija tregtare e ankoruar në një nga kalatat portuale të Portit të Durrësit ka përfunduar brenda 14 orësh shkarkimin e 948.5 tonë bananesh, porosi e subjekteve private grosiste shqiptare për tregun vendas. Burime zyrtare të Autoritetit Portual Durrës bëjnë të ditur se, që nga fillimi i këtij viti, sipas kërkesave të firmave private në kalatat e portit më të madh të vendit janë përpunuar në total 12.491 tonë banane, ndërkohë që gjatë të gjithë vitit 2008 janë përpunuar gjithsej 15.554 tonë. Ndërkohë, statistikat zyrtare tregojnë se gjatë vitit 2009 sasia e përgjithshme e bananeve që kanë mbërritur në Portin e Durrësit ishte 19.774 tonë.

12 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›