E Diel, 1 Nëntor 2026

Bostinaru: “Qeveria të gjejë zgjidhje, ndryshe ka kosto”

Autori i Lajmit: S.T

Zëvendëskryetari i Delegacionit të Evropës Juglindore në Parlamentin Evropian, Viktor Bostinaru, i bën thirrje Qeverisë shqiptare të gjejë zgjidhje për krizën politike në vend. I pyetur për mesazhin drejtuar qeverisë dhe opozitës shqiptare ai ka pohuar se “mesazhi im si zëvendëskryetar i delegacionit për Evropën Juglindore është i qartë si kristali: Qeveria duhet të gjejë zgjidhje. Qeveria dhe Kryeministri duhet të jenë në Kuvend për të realizuar më në fund, për të negociuar për zgjidhje politike për të zgjidhur krizën ekzistuese politike. Unë besoj se zoti Berisha dhe partia e tij do të ndërmarrin vendime të zgjuara për mirëfunksionimin e Parlamentit, por gjithashtu për të mirën e vendit. Nëse jo, zoti Berisha duhet të jetë përgatitur për kostot”. I pyetur për qëndrimin e socialistëve, të cilët braktisën Komisionin e Ligjeve, por dhe demokratëve që miratuan pa opozitën mendimet e tyre për nismën, ai pohon se është koha që Berisha të zbatojë atë që i ka premtuar në mënyrë të përsëritur Evropës, që do të gjejë zgjidhje. Ai tha se, nëse nuk gjendet kjo alternativë e pranueshme për dy palët, kjo gjë mund të kushtojë. “Le të mos gjykojmë paraprakisht. Sepse zoti Berisha dhe partia e tij vazhdimisht në mënyrë të përsëritur i kanë premtuar Evropës se ata do të gjejnë zgjidhje, se do të punojnë së bashku me Partinë Socialiste për një zgjidhje politike dhe tani është koha e duhur për ta bërë këtë. Nëse nesër mazhoranca do të vendosë të refuzojë propozimet e Partisë Socialiste, kjo do ti kushtojë. Dua të jem i qartë: do të jetë me kosto, pasi Shqipëria ka nevojë për stabilitet politik”, - tha Bostinaru. Zëvendëskryetari i Delegacionit të Evropës Juglindore në Parlamentin Evropian pohoi se Shqipëria ka nevojë për mbështetjen Parlamentit Evropian dhe, nëse nuk do ketë zgjidhje, si një anëtar i delegacionit për Evropën Juglindore nuk do të isha thjesht dhe vetëm i shqetësuar po do ta konsiderojë këtë si një dështim të angazhimeve evropiane të Shqipërisë dhe konsekuencat do jenë në përputhje me këtë. “Por shpresoj ende se vendime të zgjuara do të ndërmerren nesër nga mazhoranca dhe në fund do të kemi një zgjidhje politike”, - përfundoi Bostrinaru.

Ky lajm është publikuar: 18/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›