E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suedia pro lëvizjes së lirë të shqiptarëve

Autori i Lajmit: S.T
Suedia mbështet fuqimisht heqjen e vizave për shqiptarët. Garancinë për këtë e ka dhënë kryetari i Parlamentit suedez, Per Uesterberg, gjatë një takimi që ai zhvilloi në vendin e tij me kryeparlamentaren shqiptare, Jozefina Topalli. Uesterberg mirëpriti Topallin, ndërsa e vlerësoi vizitën si një vijim të frytshëm të dialogut të nisur një vit më parë me vizitën e tij në Tiranë. “Ne vlerësojmë qeverisjen tuaj, rritjen ekonomike dhe shtetin ligjor prandaj dhe ju mbështesim. Ne mbështesim integrimin tuaj dhe shpresojmë që shumë shpejt të jeni anëtarë në BE. Ju urojmë sukses në negociatat e anëtarësimit dhe në reformat tuaja, të cilat janë të guximshme, por të nevojshme për këtë anëtarësim”, - tha kreu i Parlamentit suedez, i cili shtoi se anëtarësimi është në të mirë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Evropës e të gjithëve ne. Lidhur me zgjedhjet e fundit, Uesterberg tha Shqipëria realizoi zgjedhje shumë të mira. “Kur njihen rezultatet, Parlamenti fillon punën për të trajtuar çështjet e qytetarëve, dhe nuk i takon Parlamentit të trajtojë çështje që tashmë kanë marrë gjykimin nga drejtësia”, - tha ai. Biseda u fokusua dhe në plotësimin e detyrimeve që Shqipëria ka përmbushur. “Për të gjitha këto ne presim marrjen e vendimit nga BE për heqjen e vizave”, - theksoi Topalli. Gjatë kësaj vizite Topalli zhvilloi një takimi dhe me kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit të Suedisë, Goran Lennmarker, por dhe kryetaren e delegacionit të Suedisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, Ualburga Habsburg. E pyetur pas takimit nga media lidhur me bojkotin e opozitës, zonja Habsburg tha se “është për të ardhur keq, sepse ka pasur shumë vëzhgues të zgjedhjeve nga OSBE dhe nga Këshilli i Evropës dhe unë vërtet shpresoj që situata të ndryshojë dhe të marrë fund, sepse bojkoti nuk është kurrë zgjidhje për një problem. Sa kohë që punohet për procedurat e Kodit, gjithçka është në rregull, por zgjedhjet nuk mund të diskutohen dhe unë shpresoj që opozita do ta kuptojë këtë”, - ka pohuar ajo.

Ky lajm është publikuar: 18/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›