E Diel, 1 Nëntor 2026

Fajon apel Parlamentit: “Është koha të tregoni pjekuri politike”

Autori i Lajmit: S.T
“Përpara votimit nesër në Parlamentin shqiptar për ngritjen e një komisioni parlamentar hetimi, i cili duhet të bëjë një hetim të plotë të mënyrës se si u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, do të doja të theksoja rëndësinë e një dialogu bashkëpunues transparent dhe të përgjegjshëm mes palëve. Tani që Shqipëria është në fazën finale të liberalizimit të vizave bëhet edhe më e rëndësishme të tregohet gatishmëri për të punuar së bashku për më të mirën për popullin dhe për vendin”. Kështu ka pohuar dje anëtarja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për liberalizimin e vizave për Ballkanin Perëndimor. Sipas saj, në mënyrë që të vazhdohet në rrugën drejt integrimit evropian Shqipëria duhet të jetë efikase dhe konkrete kur vjen puna tek integriteti, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore. “Unë shpresoj sinqerisht se Parlamenti Shqiptar do ta ketë parasysh se kjo është po ashtu koha për të provuar pjekurinë politike dhe se në mënyrë të bashkuar do të arrijë një zgjidhje pozitive dhe konstuktive”,- tha Fajon. Ajo shpreson që mazhoranca qeverisëse me kthimin e opozitës në Parlament të japë një përgjigje pozitive ndaj kërkesave të saj për të ngritur një komision hetimor dhe për të siguruar transparencën e zgjedhjeve për të gjitha forcat politike në Parlament çdo herë, pas zgjedhjeve lokale apo parlamentare. “Hetimi dhe masat e propozuara nga opozita duhet të arrijnë transparencën e plotë si themeli i përmirësimeve të rëndësishme në mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet në të ardhmen për të përmbushur standardet ndërkombëtare. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të vendoset themeli i një dialogu konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës. Shqipëria ka nevojë të tregojë pjekurinë e saj politike më shumë se kurrë në këtë moment vendimtar për liberalizimin e vizave dhe duke pasur parasysh fuqizimin e procesit të integrimit evropian të vendit”,- u shpreh Tanja Fajon.

Ky lajm është publikuar: 18/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›