E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihma ekonomike jepet mbi një minimum jozyrtar varfërie

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Anketimi periodik i INSTAT për Matjen e Nivelit të Jetesës (LSMS) ka shërbyer si mjeti kryesor për monitorimin e tendencës së varferisë këto vitet e fundit dhe jo vetëm të tendencës por edhe të ndihmës ekonomike. Indikatorët e varfërisë në Shqipëri bazohen në vlerësimin e konsumit dhe jo në të ardhurat. Kështu, ndërsa vendet e BE-së, bazohen tek të ardhurat, në Shqipëri veprohet ndryshe dhe shpjegimi zyrtar është ky: Sepse informacioni mbi të ardhurat nuk është shumë i saktë në krahasim me informacionin mbi konsumin!
Sipas informacionit nga Ministria e Punës, në vitin 2008, programimi i fondeve për ndihmën ekonomike, për herë të parë, u mbështet në “Hartën e Varfërisë” në përputhje me të dhënat e LSMS, dhe përmirësimin e targetimit (identifikimit) të familjeve të varfra mbi bazën e treguesve të rinj të përcaktuar në strategjinë sektoriale të mbrojtjes sociale”. Sipas kësaj “harte”, ka reduktim të nivelit të varfërisë në 12.4% në vitin 2008, kundrejt 18,9 % që ishte në 2005, apo 25 % në 2002. “Gjatë dy viteve te para të zbatimit të strategjisë sektoriale të mbrojtjes sociale, niveli i varfërisë u ul në 12.4 % duke iu afruar objektivit prej 10% te vendosur per vitin 2013”, thuhet në raportin ministror. -Dhe më tej citojmë: “Të gjithë treguesit e nivelit të varfërisë prej 2 USD ne ditë per person sipas LSMS 2008 janë përmirësuar në raport më LSMS 2005 dhe 2002.” Popullsia nën vijën e varfërisë prej 2 USD sipas LSMS 2008 është ulur në 373 mijë persona në vitin 2008, kundrejt 576 mijë persona në vitin 2005 dhe 813 mijë persona në 2002. Varfëria ekstreme e vlerësuar me më pak së 1 USD në ditë për person është ulur në 1.2 % të popullsisë gjithësej kundrejt 3.5 % që ishte ky tregues në vitin 2005 apo 4.7 % që ishte në vitin 2002. Shohim se në këtë raport të ri flitet për Varfëri absolute dhe varfëri ekstreme, por nuk na jepen të dhëna të reja mbi varfërinë relative, ashtu siç i ka hije një vendi në Evropë. Referuar matjeve të mëpërparshme, ndërsa varfëria absolute e matur nga INSTAT rezulton në rënie, kufijtë e varfërisë relative, që preferohen nga Bashkimi Europian për matjen e varfërisë dhe që pasqyrojnë shkallën e privimit në lidhje me të ardhurat e pjesës tjetër të popullsisë, flasin ndryshe. Masa më e përdorur- shkalla e rrezikut nga varfëria e cila tregon pjesën që u takon individëve që jetojnë në një familje që konsumon më pak se 60% të medianës kombëtare, tregon që shkalla e varfërisë relative pati një rritje nga viti 2002 në 2005 nga 13.9% në 16.6%. Të varfrit sipas matjes “ala Europë” u shtuan. Ndërkaq, Ministria nuk ofron shifra për varfërinë relative në raportin e saj më të fundit. Varfëria relative nuk është përdorur si tregues dhe as si referues nga Ministria e Punës në politikat e saj të kufizimit të varfërisë.

INSTAT : “Nuk kemi kompetenca për llogaritjen e Minimumit Jetik”

Shifrat e Institutit të Statistikavë merren nga qeveria si referues për politikat e pagesave për shtresat në nevojë. Këto pagesa duhet ti referohen një kufiri të varfërisë që në gjithë botën, edhe në Shqipëri duhet të bazohet tek minimumi jetik. Mirëpo, në vend të kësaj, Ministria e Punës zgjedh si kufi referimi një anketë të INSTAT, për matjen e varfërisë. Nga ky institucion pas interesimit tonë morëm si përgjigje se vërtet studimet që ndërmerr INSTAT janë të vlefshme për statistika, por kanë karakter studimor dhe nuk janë këto shfra që zyrtarizojnë kufirin për të jetuar. “INSTAT nuk ka kompetenca për llogaritjen e Minimumit Jetik në Shqipëri”, thuhet në prononcimin e këtij institucioni për “Ballkan”. Më tej, për metodologjinë e përdorur për caktimin e linjës absolute të varfërisë, marrim përgjigjen e mëposhtme: “Shqipëria ka llogaritur në vitin 2002 linjën absolute të varfërisë bazuar mbi konsumin aktual të një popullsie duke ndjekur metodologjinë e BB-së për matjen dhe monitorimin e varfërisë për vendet në zhvillim. Llogaritja e kësaj linje u bazua në metodologjinë e kostos-së-nevojave-bazë (Ravaillon and Bidani,1994). Për vlerësimin e linjës së plotë të varfërisë, në fillim u llogarit një linjë varfërie ushqimore ose kosto që duhet për të pasur një sasi minimale të dhënë të kalorive dhe më pas, kësaj iu shtuan edhe artikuj kryesorë joushqimorë. Komponenti joushqimor u llogarit si mesatarja e shpenzimeve për grupin jo-ushqimor e atyre familjeve që shpenzojnë pothuajse të njëjtën sasi për ushqimet sa ato të treguara në linjën ushqimore të varfërisë. Për llogaritjen e linjës ushqimore, ne u përqëndruam në shportën ushqimore që konsumojnë të varfërit, dmth në shportën ushqimore të njerëzve që ndodhen në decilet e dyta deri tek e katërta të shpërndarjes së konsumit në vlerë. Duke u nisur nga rekomandimet e FAO-s mbi konsumin minimal të kalorive sipas moshës dhe gjinisë, dhe duke axhustuar këto kërkesa për kalori me shpërndarjen e popullsisë në Shqipëri, u vlerësua që konsumi për frymë në ditë duhet të jenë 2288 kalori të marra. Në këtë mënyrë, linja ushqimore e varfërisë ose linja ekstreme e varfërisë është vlerësuar rreth 3,047 lekë për frymë në muaj. Linja e plotë e varfërisë, e vlerësuar duke shtuar dhe artikujt kryesorë joushqimore është 4,891 lekë për frymë në muaj.”
Pra siç shihet edhe nga ky shpjegim, edhe pse INSTAT pohon se nuk ka kompetenca për të llogaritur minimumin jetik, këto përllogaritje tregojnë se INSTAT ka bërë pikërisht këtë.

INSTAT, një “minimum” jozyrtar pa shpenzimet e shëndetit

Të llogaritësh nevojat ekonomike të njerëzve për mbijetesë dhe të mos përfshish shpenzimet e shëndetit, nuk mund të jetë një harresë e rastësishme. Sidomos në vendet e varfra si Shqipëria, sa më i ulët që është standardi ekonomik, aq më tepër rritet incidenca e sëmundjeve, sidomos të atyre që lidhen me ushqyerjen, kushtet higjienike, aksesin për të përfituar shërbime shëndetësore, kushtet për të përballuar temperaturat ekstreme të dimrit dhe verës etj. Shpenzimet për shëndetin, që edhe në vendet e zhvilluara zënë një peshë të madhe në shpenzimet e përgjithshme, këtu janë lënë jashtë ose janë llogaritur zero. Po kështu, nuk ëshë përfshirë shpenzimi për strehim kur banesa është një nga treguesit bazë. Ata që vuajnë nga mungesa e një çatie mbi krye janë më të varfrit. Qiratë e shtëpive nuk janë përfshirë në kostot e jetesës dhe po ashtu as nevojat për meremetim të shumë banesave të klasifikuara në gjendje të pabanueshme, por që banohen. Të tilla madje ka edhe në Tiranë. E gjithë kjo panoramë vjen në vëmendje ndërsa shikon zërat që janë përfshirë në llogaritjen e minimumit që nuk quhet “minimum” nga INSTAT. Duke cituar më tej, sqarimin e tij, Anketat LSMS 2002-2005-2008 mbledhin informacionin e nevojshëm që duhet në llogaritjen e të gjithë komponentëve të agregatit të konsumit: konsumin për ushqime (si atë të blerë dhe atë të konsumuar nga prodhimi i vet), shpenzimet joushqimore (veshje artikuj shtëpiake etj), shpenzime utilitare (gaz, telefon, energji elektike, etj), edukimin, shëndetin, pajisjet afatgjata dhe banesën. Ndërsa shpenzimet për shëndetin, dhe qeranë të mbledhura nga anketa janë të diskutueshme dhe u vendos që të mos përfshihen në matësin përfundimtar të mirëqënies.

Parashikimi i planifikuar

Të varfrit e 2013-s, Ministria i ka numëruar që në 2009
Ministria krijon “Hartën e varfërisë” për të numëruar të varfrit që i ka numëruar

Rrjedhimisht, do të jemi dyshues për shifrat që do të na ofrohen pas 3 vitesh, pasi këto shifra i kemi paraparë…

Ministria e Punës deklaron se Ndihma Ekonomike (NE) jepet sipas identifikimit të familjeve të varfra mbi bazën e Hartës së Varfërisë dhe të linjës së varfërisë të përcaktuar nga Anketa e INSTAT (LSMS). Nga ana tjetër, po kjo Ministri në strategjinë e saj ka përcaktuaar, më saktë paracaktuar, se sa do të jetë numri i familjeve nën kufirin e varfërisë vit pas viti, duke krahasuar që nga 2007 e deri në 2013. Shifrat e planifikuara tregojnë një rënie të numrit të familjeve të konsideruara të varfra dhe që do të trajtohen me ndihmë ekonomike, një rënie e shkallëzuar nga 114 mjnë familje në 2007, në 80 mijë në 2010, 74 mijë në 2011 dhe në 70 mijë në 2013, nga të cilat, gjysma në zonar rurale. Paradoksalisht, Ministria krijon një hartë varfërie për identifikimin dhe numërimin e familjeve të varfra dhe nga ana tjetër, ajo i ka numëruar ato tashmë në strategjitnë e saj shumëvjeçare!
Të dhënat zyrtare tregojnë që ka diferenca ndërmjet numrit të popullsisë së varfër (sipas LSMS 2005) dhe numrit aktual të popullatës dhe familjeve përfituese të ndihmës ekonomike (2007). Këto diferenca mund të korrigjohen duke përdorur treguesit e hartës së varfërisë. Nga ky korrigjim, deri në vitin 2013, propozohet që masa e ndihmës ekonomike për familje do të tentojë të rritet por brenda një kufiri tavan që nuk e kalon nivelin e pensionit minimal në shkallë vendi.
Qeveria synon të rrisë masën e mbulimit të nevojave të familjeve të varfra jo vetëm nëpërmjet rritjes së fondeve buxhetore që do të trasferohen në programin e NE por edhe nëpërmjet uljes së numrit të familjeve përfituese nga skema e NE. Por, a ka dhe do të ketë vërtet vit pas viti, gjithnjë e më pak familje të varfra? Sipas Ministrisë së Punës po, ndërsa sipas Sindikatës së Pensionistëve, ajo është thelluar. E habitshme është se shifrat nuk janë të matura, por të paracaktuara. Konkretisht, numri i popullsisë nën nivelin e varfërisë absolute në vitin 2013 parashikohet të jetë rreth 326000 banorë ose 10% e popullsisë gjithsej, nga 12 % që pretendohet aktualisht. Sikur varfëria e mijëra familjeve të jetë një gjë që rregullohet me një të rënë të lapsit që nga zyra. Planizimi i ndihmës dhe i numrit të familjeve, edhe pse ka një përbërës argumentues se institucionet që kanë në dorë të bëjnë politikat për zbutjen e varëfërisë mund tia arrijnë kësaj, nga ana tjetër kjo nuk është garanci dhe se sa arrihet, mbetet për tu konstatuar (identifikuar, matur) dhe jo paravendosur.
E thënë më thjesht, kjo i përngjan premtimit të një trajneri, se skuadra e tij do ta përmbysë rezultatin nga 1-0 në 1-2, por me gjithë besimin e madh që mund të kemi tek ai, duhet të presim të shohim lojën dhe pastaj të vendosim rezultatin...Ky parashikim i Ministrisë është një rrezik i mundshëm për të lënë jashtë përfitimit të ndihmës një numër familjesh, sepse është plotësuar plani i paracaktua! Dhe ndoshta as korrigjimi i adresimit abuziv të ndihmës atje ku nuk ka nevojë për të, mund të mos jetë një ndërmarrje e mjaftueshme.

Tabela 1.1 Projeksioni i buxhetit, numrit te familjeve, dhe mases mesatare te perfitimit
Fondet Numri i familjeve
në NE Përfitim mesatar mujor për familje Përfitim mesatar mujor për person
Milionë lekë Lekë Lekë
2007 2600 114000 1890 406
2008 3600 93000 3226 693
2009 4800 85000 4706 1010
2010 5700 80000 5931 1274
2011 6800 74000 7686 1650
2012 7200 70000 8508 1827
2013 7600 70000 9115 1957

Burimi: Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, 2007.

A duhet llogaritur varfëria mbi bazën e të ardhurave?

Hartuesit e strategjisë theksojnë një problem tjetër që duhet marrë në konsideratë: Nëse duhen bërë përpjekje të kalohet në llogaritjen e treguesve të varfërisë në bazë të të ardhurave, që të përputhet me praktikat e vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Megjithatë, ata thonë se pritet që gjatë zhvillimit të strategjise, konsumi të vazhdojë të jetë më i besueshëm dhe i matshëm sesa të ardhurat. Megjithatë, Draft-programi 5-vjeçar statistikor nuk e përfshin LSMS në programin që ka për vëzhgimet. Në vend të tij, theksi ka kaluar tek Vëzhgimi për Buxhetin e Familjes, që fillimisht u zhvillua në vitin 2006

Ky lajm është publikuar: 18/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›