E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: “PS të shkojë në Kushtetuese”

Autori i Lajmit: S.T

Lëvizja Socialiste për Integrim bëhet pjesë e debateve për krizën politike, ndërsa akuzon socialistët se nuk po kërkojnë transparencën e zgjedhjeve por janë përqendruar tek një debat me qëllime thjesht politike. Zëvendëskryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto, ka mbështetur qëndrimin e mazhorancës duke pohuar se ajo asnjëherë nuk ka qenë kundër transparencës së zgjedhjeve apo kundër ngritjes së Komisionit hetimor. “Opozita e sotme duhet te këtë të qartë se objektivat e saj politikë nuk mund të realizohen duke iu imponuar politikisht dhe me ultimatume mazhorancës. Demokracia funksionon me vota, jo me kërcënime. Nëse opozita vërtet ka qëllim transparencën e zgjedhjeve, rruga ligjore dhe kushtetuese është e hapur për të. Me këtë rast vlerësojmë prononcimin e presidentit Topi që rekomandon Gjykatën Kushtetuese për sqarimin e qëndrimeve të papajtueshme të palëve”, - tha Haxhinasto. Për sa i përket ligjit për SHISH, ai tha se “mazhoranca e ka shprehur vullnetin e saj, duke iu drejtuar ekspertizës ndërkombëtare. Madje dhe ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, është autorizuar të kërkojë mendimin e ekspertëve ndërkombëtarë të misionit EURALIUS, lidhur me draftin e ndryshimeve në projektligjin e SHISH”.

Ky lajm është publikuar: 18/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›