E Diel, 1 Nëntor 2026

Fule: “Kriza politike në Shqipëri të zgjidhet para datës 19 mars”



Dy ditë nga mbërritja e tij në Tiranë, komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Stefan Fule, i ka përcjellë një mesazh të qartë politikës shqiptare, duke i kërkuar zgjidhjen e kësaj krize para datës 19 mars, kur Fule pritet të vizitojë Tiranën zyrtare. I ndodhur dje në Beograd, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor për të diskutuar përparimin e secilit prej këtyre vendeve në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, Stefan Fule do të vizitojë më 19 mars dhe Tiranën. Delegacioni i Bashkimit Europian, nëpërmjet një e-mail-i të shpërndarë në media dje në mesditë, përcolli mesazhin e komisionerit të Zgjerimit. “Shpresoj shumë që ngërçi që lidhet me pjesëmarrjen aktive në Kuvend të deputetëve të Partisë Socialiste të mund të zgjidhet para vizitës sime dhe do t'u bëja thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të punojnë së bashku në mënyrë që Shqipëria të çojë përpara reformat e duhura në të mirë të vetë qytetarëve të saj, si edhe në të mirë të aspiratave të saj europiane”, - është shprehur Fule.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, komisioneri Fule do të takohet me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, me kryeministrin Sali Berisha, me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.

Parlamenti Europian të dielën në Tiranë për të monitoruar situatën

Një delegacion i Parlamentit Europian pritet të mbërrijë ditën e diel në Shqipëri. Qëllimi kryesor i kësaj vizite do të jetë për të vëzhguar nëse vendi ynë i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave. Misioni i Parlamentit Europian do të kryesohet nga shefi i Delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan. “Nuk kemi kohë për të humbur, ndaj po vizitojmë Shqipërinë të dielën, sepse liberalizimi i vizave do të kishte kuptim nëse do të realizohej përpara pushimeve të verës, në mënyrë që njerëzit të mund të udhëtonin lirshëm. Po aq i rëndësishëm është fakti që janë dërguar 3 grupe ekspertësh në Tiranë për të verifikuar përmbushjen e kritereve dhe raportet e dy grupeve të para ishin pozitive, ndaj presim që dhe grupi i fundit të ketë po ashtu qëndrim pozitiv. Pra, kemi të bëjmë me një situatë ku Shqipëria po përmbush kriteret dhe logjikisht Komisioni përcaktoi kushtet, ju po i plotësoni ato dhe ne duam të rekomandojmë gjithandej se nuk duhet pritur më”, - është shprehur Kukan. Eurodeputetët do të takojnë kreun e shtetit, Bamir Topi, kryeministrin Berisha, Ministrin e Jashtëm, atë të Punëve të Brendshme, si dhe do të vizitojnë zyrat kryesore përgjegjëse për përmbushjen e kritereve të kërkuara nga BE-së.

Habsburg: “Bojkoti nuk është zgjidhje për një problem”

Gjatë vizitës në Suedi, kryetarja e Kuvendit u prit edhe nga kryetarja e Delegacionit të Suedisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, Walburga Habsburg. E pyetur pas takimit nga media lidhur me bojkotin e opozitës, zonja Habsburg tha: “Mendoj se është për të ardhur keq sepse ka pasur shumë vëzhgues të zgjedhjeve nga OSBE-ja dhe nga Këshilli i Europës, dhe unë vërtet shpresoj që situata të ndryshojë dhe të marrë fund, sepse bojkoti nuk është kurrë zgjidhje për një problem. Sa kohë që punohet për procedurat e Kodit, gjithçka është në rregull, por zgjedhjet nuk mund të diskutohen dhe shpresoj që opozita do ta kuptojë këtë”, - është shprehur Habsburg.

Meta, vizitë dyditore në SHBA, priten takime në Senatin amerikan

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, do të zhvillojë një vizitë pune dyditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në datat 18-19 mars. Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, ministri Meta pritet të mbajë një fjalë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Gjithashtu, ministri i Jashtëm shqiptar do të zhvillojë takime të ndryshme në Kongres, Senat, si dhe me zyrtarë të lartë të administratës amerikane. Në qendër të kësaj vizite do të jenë zhvillimet në rajonin tonë dhe angazhimet e Shqipërisë në këtë drejtim, si edhe forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat.

Ambasadorët, tryezë për ligjin e SHISH-it: “Shërbimi Informativ të jetë u pavarur nga politika”

Withers, Bosh dhe Mekëllhan kërkojnë që reforma të mos nxitohet
Ambasadorët kërkojnë ekspertizë ndërkombëtare për projektligjin

Eljona Ballhysa
Ambasadorët e vendeve të BE-së dhe ambasadori amerikan në Tiranë organizuan dje një tryezë diskutimi për projektligjin për funksionimin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Në këtë tryezë diskutimi ambasadorët kërkuan që Shërbimi Informativ Shtetëror të funksionojë si një institucion i pavarur nga politika. Ata kërkuan që reforma e ndërmarrë nga qeveria për këtë institucion të mos jetë e nxituar, ndërkohë që theksuan nevojën që ky draft të marrë ekspertizën ndërkombëtare. Të pranishëm në tryezën e djeshme ishin ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Withers, ambasadori i OSBE-së, Bosh, ambasadorja e Britanisë së Madhe, Mekëllham, si dhe dy ish-presidentët Mosiu dhe Meidani.
Apeli
Gjatë fjalës së tij ambasadori amerikan Withers u shpreh se me qëndrimin e tij nuk kërkon të nxisë më tej kundërshtitë ndaj projektligjit, por kërkon të kontribuojë për të gjetur një zgjidhje. “Zgjidhja është e nevojshme për Shqipërinë në rrugën e saj demokratike”, - është shprehur Withers. Sipas tij, funksioni që ka Shërbimi Informativ Shtetëror është shumë i ndjeshëm dhe ka si funksion sigurinë në vend, prandaj SHISH duhet të jetë i pavarur nga politika. “Duhet të sigurohemi që sa herë të kërkohen masa të brendshme të ndërmerren të çliruara nga ndikimet politike. Pra Shërbimi Informativ Shtetëror të jetë i pavarur prej saj”, - është shprehur Withers, i cili theksoi dhe njëherë nevojën që drafti i miratuar një ditë më parë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare nga deputetët e maxhorancës të marrë ekspertizën e ndërkombëtarëve para se të kalojë për miratim në seancë parlamentare. “SHISH duhet të ketë reputacion të fortë profesional, i cili arrihet nga reformat që do të merren për të. Besoni te miqtë dhe lejojini t’ju ndihmojnë, pasi ne jemi gati t’ju ofrojmë të gjitha shërbimet që reformimi i SHISH-it të bëhet sa më mirë”, - theksoi Withers. Ndërsa ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, është shprehur se shqetësimet që ata kanë në lidhje me ligjin e SHISH-in ia kanë shprehur qeverisë. Sipas tij, ata nuk kanë shumë të qartë se çfarë ndryshimesh janë bërë në të. “Nuk dimë ndryshimet e miratuara, nuk kemi parë versionin e rifreskuar të projektligjit që ka rëndësi shumë të madhe. Shqetësimet tona ia kemi paraqitur qeverisë pasi në të mungon edhe dallimi mes policisë dhe SHISH-it”, - është shprehur Bosh. Ndërsa ambasadorja britanike Mekëllham është shprehur që institucioni i SHISH-it ka nevojë edhe për reforma të tjera. “Duhet t’i jepet më shumë rëndësi institucioneve. Ndarja e pushteteve ka rëndësi kritike në një vend demokratik”, - është shprehur ambasadorja britanike në Tiranë.

18 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›