Topi: “Politikanët të bashkëpunojnë për të gjetur zgjidhjen”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i bëri dje apel politikanëve shqiptarë që të bashkëpunojnë për të gjetur zgjidhjen e krizës politike me qëllim realizimin e reformave të nevojshme për integrimin europian. Gjatë një vizite që zhvilloi dje në qytetin e Beratit, i pyetur nga mediat për krizën politike në vend, kreu i shtetit u shpreh se vetëm me dialog mund të gjendet zgjidhja. “E rëndësishme është që kemi një riinstalim të dialogut politik, pavarësisht nga problematika. Unë mendoj që demokracia në Shqipëri i ka të gjitha shanset që të bëjë progres, pavarësisht se ndonjëherë gjërat duket sikur nuk kanë rrugëdalje. Gjithmonë politika ka mundësi që mbi bazën e dialogut, të një predispozicioni për të arritur një zgjidhje në funksion të Shqipërisë dhe mbarë shoqërisë, do të dijë të gjejë edhe rrugët e bashkëpunimit”, - është shprehur Topi, ndërsa vuri theksin te domosdoshmëria e realizimit të reformave për integrimin europian. “Duket sikur janë retorika politike kur themi në funksion të reformave të rëndësishme, por është realisht kështu. Duhet që njerëzit të bashkëpunojnë, sepse vërtet na presin reforma të rëndësishme në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë me konsekuencë rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ky do të jetë mesazhi më i rëndësishëm, dominanti i jetës së politikës dhe i institucioneve të Shqipërisë, duhet të jetë konsolidimi i rrugës së nisur për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian”, - është shprehur Topi.
18 Mars 2010