E Shtunë, 31 Tetor 2026

Boston mundi Majemin ne Florida

Fitorja e dytë tregon se suksesi i parë nuk kishte qenë rastësi. Boston Sëlltiks mposhtën për herë të dytë brenda 9 ditëve Majemi Hitsin, madje në Florida, këtë radhë me rezultatin 115-107. Fituesit u udhëhoqën nga 27 pikët e kapitenit Pol Pirs, ndërsa kontributi ishte i madh nga Kevin Garnet që realizoi 24 pikë dhe kapi 9 topa në tabela, kurse Rejxhën Rondo shënoi 18 pikë e dha 15 asistë.

Lebron Xhejms nuk mjaftoi për nënkampionët në fuqi në NBA-t, ndonëse shënoi 36 pikë dhe shërbeu 7 asistë. Ai nuk mori mbështetjen që e duhur nga Duejn Uejd dhe Kris Bosh që shënuan të dy bashkë 33 pikë duke pasur shumë gabime në gjuajtje.

Çikago fitoi në fushën e saj ndaj Nju Jorkut, me rezultatin 98-86 duke u vendosur gjithçka në çerekun e dytë dhe duke u realizuar një hakmarrje e vendasve. Bullsat u treguan shumë të fortë në tabela, edhe pse nuk e patëm lojtarin e tyre më të mirë, Derrik Rouz.

Veterani Rip Hamilton tërhoqi pas vetes skuadrën vendase me 20 pikë të shënuara, ndërsa Luol Deng realizoi 19 dhe kapi 10 topa në tabela. Në radhët e Nju Jorkut mungonte Xheremi Lin, ndërsa Karmelo Entoni zhvilloi një ndeshje shumë të mirë duke shënuar 29 pikë, e Tajson Çendlër kapi 15 topa në tabela.

Në ndeshjet e tjera, Uashington mundi Orlandon 93-85, Klivlend fitoi ndaj Sharlotës 103-90, Filadelfia triumfoi në fushën e Nju Xhersit 107-88 dhe kampionia në fuqi Dallas fitoi 110-100 ndaj Sakramentos.

Në renditje, Çikago kryeson me 44 fitore e 14 humbje, Oklahoma ka 42 fitore e 15 humbje, San Antonio ka 40 fitore e 15 humbje ndërsa Majemi ka 40 fitore e 16 humbje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›