E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga 21jave pezullime

21 javë pezullime dhe 2 dënime fushe në Superligë. Pas vendimeve të Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, ky është bilanci i ngjashëm me atë të një lufte pas javës së 20-të të kampionatit elitar në vend, ndërsa masa të ashpra janë marrë edhe në Kategorinë e Parë.
Megjithatë, dënimet kanë qenë të përqendruara kryesisht të derbi Kamza-Dinamo, një ndeshje shumë e rëndësishme në luftën për mbijetesë, e që përfundoi në barazim 1-1. Ndëshkimi më shembullor është dhënë për zyrtarin e Kamzës, Skerdi Bejzade, që për ofendim dhe goditje të lojtarit kundërshtar është pezulluar për nëntë ndeshje dhe gjobitur me 100 mijë lek të reja gjobë.
Duke qëndruar te skuadra debutuese në elitë, futbollistët Gentian Manuka dhe Mario Bytyçi janë pezulluar përkatësisht për një dhe dy ndeshje, ndërsa një ndeshje pezullim është dhënë edhe për lojtarin e Dinamos, Ervis Kaja. Tre futbollistët janë gjobitur edhe me nga 100 mijë lek të reja secili.
Masa të ashpra janë marrë edhe për Tiranën, ku lojtari Gerard Tushe, I larguar nga fusha me karton të kuq ndaj Apolonisë është pezulluar për gjashtë ndeshje, pasi ka pështyrë kundërshtarin, ndërsa skuadra bardheblu do të luajë një ndeshje pa tifozë, për shkak të hedhjes së flakadanëve në fushën e lojës dhe ofendimeve të vazhdueshme të mbështetësve të saj.
Me një ndeshje pa tifozë është dënuar edhe Kastrioti, për hedhjen e sendeve të forta dhe mjeteve ndezës në fushë në takimin e humbur 2-1 në shtëpi me Skënderbeun, ndërsa trajneri i Bylisit, Naxhi Shensoi është pezulluar me dy ndeshje pezullim dhe 100 mijë lek gjobë për ofrendim të zyrtarëve.
Në Kategorinë e Parë me një ndeshje pa tifozë janë ndëshkuar edhe kryesuesit e Luftëtarit, ndërsa ndëshkime ka pasur edhe për Skraparin, ku zyrtari Dashnor Naço është pezulluar për 9 javë nga aktiviteti për sulm dhe dhunë ndaj kundërshtarit, ndërsa klubi është gjobitur me 50 mijë lek të reja për hedhje të sendeve të forta nga jashtë stadiumit dhe ofendim të zyrtarëve të ndeshjes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›