Bota e zhvilluar jep 38 miliardë USD për reformat në vendet arabe
Ministrat e financave të shtatë vendeve më të industrializuara G7, kanë diskutuar në raund të gjerë mbi ndihmat për shtetet reformatore arabe. Në ditën e dytë të samitit të tyre në Marsejë të Francës, u bë e ditur se këto shtete do të marrin ndihma të tjera miliardëshe, në kuadër të transformimeve demokratike. institucionet ndërkombëtare financiare do të mbështesin Egjiptin, Tunizinë, Marokun dhe Jordaninë me gjithsej 38 miliardë dollarë. Më parë përfaqësuesit e vendeve të G7 në samit, premtuan "një përgjigje të fortë" ndaj dobësimit të ekonomisë botërore dhe trazirave në tregjet financiare, por nuk ranë dakord për masa të përbashkëta. Në një deklaratë të përbashkët u fol për "një ekuilibër" mes programeve stimuluese për ekonominë, dhe programeve të kursimit.