E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtator, rriten 20% kërkesat për të udhëtuar jashtë

SHKRUAN: Sabina Veizaj 11-09-2011 10:31

Shtatori ka çmendur dëshirën e pushuesëve shqiptarë për të flutuar jashtë vendit. Parashikuesit e mirë të motit i kanë lënë pushimet për në muajin shtator ku edhe çmimet e paketave turistike për jashtë kufijëve janë më të kënaqshme. Agjencitë turistike në kryeqytet raportojnë për një kërkesë të rritur me mbi 20% të qytetarëve që kanë zgjedhur të pushojnë në muajin shtator jashtë kufijëve në krahasim me shtatorin e një viti më parë. Sipas agjentëve turistikë, moti i nxehtë i shtatorit, liberalizmi i vizave, kriza greke dhe çmimet e ulura kanë qenë në favor të pushuesëve shqiptarë dhe kërkesës së lartë për të blerë paketa turistike për destinacionet më të preferuara të Europës dhe jo vetëm. Edhe për muajin shtator, sipas raportimit të agjencive turistike në kryeqytet, destinacionet e preferuara janë ishujt grekë, Turqia dhe Spanja. Ndërsa surpriza e shtatorit është destinacioni i Francës. Vetëm për 540 euro mund të kalosh 5 ditë në Paris. Paketa në fjalë përfshin udhëtimin vajtje-ardhje, akomodimin në një hotel me tre yje, mëngjesin në hotel, lëvizjet me autobus drejt ekskursioneve sipas programit, guidë në shqip, shëtitje me anije në lumin e Senës dhe transfertat aeroport-hotel-aeroport. Ndërsa pushuesit për në ishujt grekë janë më të favorizuar, pasi edhe në pikun e sezonit ata kanë përfituar nga nxitja e politikave të biznesit grekë me çmime të ulura për shkak të krizës. Cmimet e hoteleve në Greqi kanë variuar nga 300-350 euro për 7 netë. Por një alternativë tjetër, sipas agjentëve kanë qenë edhe shtëpitë, të cilat pronarët grekë i kanë lënë me 20-25 euro nata. Këto çmime vazhdojnë të mbeten edhe për shtatorin, meqënëse sezoni turistik këtë verë po shkon përtej parashikimeve. Turqia, sipas agjentëve turistikë në kryeqytet, vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara të pushuesëve shqiptarë edhe për pushimet e shtatorit, pasi shërbimi në hotelet turke është shumë i mirë, ushqimi i bollshëm dhe nuk mungojnë aktivitetet e përfshira në paketat turistike. Për turistët që kanë zgjedhur të udhëtojnë drejt destinacionit Turqi në 16 shtator për 8 ditë. Paketa në fjalë, e cila kushton vetëm 495 euro përfshin udhëtimin Tiranë-Stamboll- Tiranë ose Tiranë- Antalya- Tiranë, transfertat si në program, vizita në Pamukalë, akomodimi në hotel me 4 yje, mëngjes dhe darkë në hotel, guidë profesionale. Sipas agjentëve turistikë për të udhëtuar jashtë kufijëve në shtator ka shumë kërkesa. Moti i nxehtë ka qenë faktori kryesor që janë shënuar më shumë kërkesa për paketa turistike jashtë kufijëve se në shtatorin e një viti më parë. Sipas tyre, ky sezon ka qenë i suksesshëm për arkën e tyre, pasi cmimet e paketave kanë qenë të kënaqshme për të gjitha nivelet. Ndërsa fluksi i shtatorit rendit në listën e kërkesave për jashtë; ciftet e moshuara, ata që e kanë bërë traditë të pushojnë në shtator, ata që kanë vendosur të bëjnë 2 palë pushime dhe ata që nuk kanë arritur të bëjnë pushime gjatë pikut të verës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›