Sigurimet drejt përqëndrimit, austriakët 70% të tregut
Tregu i sigurimeve në vendin tonë po shkon drejt përqëndrimit. Autoriteti i Konkurencës ka bërë të ditur se, kompania austriake Vienna Insurance Group ka blerë 75 për qind të kompanisë Interalbanian. Më parë e njëjta kompani ka blerë shumicën e aksioneve të kompanive, Sigma dhe Intersig. Nëse do të miratohet nga Autoriteti i Konkurrencës, kjo blerje shënon një zhvillim të rëndësishëm në tregun e sigurimeve. Me blerjen e “Intersig”, “Vienna Insurance Group” bëhet aktori më i madh, duke kaluar “Sigal Uniqa Group Austria”. Sipas të dhënave më të fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për 7-mujorin e këtij viti “Sigal Uniqa Group Austria” zotëronte 30.8% të tregut, sipas volumit të primeve të arkëtuara, ndërsa “Sigma” dhe “Interalbanian”, dy kompanitë e “Vienna insurance”, zinin së bashku 27.8%. Me blerjen edhe të “Intersig”, pjesa në treg e “Vienna insurance” arrin në 37%, duke u marrë kryesimin e tregut shqiptar të sigurimeve. Shitja e “Intersig” është hapi i radhës në ekspansionin e investitorëve të huaj në tregun shqiptar të sigurimeve. Në katër vitet e fundit, dy kompanitë e mëdha austriake “Uniqa Group Austria” dhe “Vienna insurance Group” kanë blerë tre kompanitë më të mëdha të sigurimeve në vend. Pas blerjes së “Intersig”, dy gjigandët austriakë zotërojnë pothuajse 70% të tregut. Ndërkohë, në dhjetor të vitit të kaluar grupi slloven “Triglav” bleu 51% të aksioneve të kompanisë “Albsig”. Duket kështu se edhe tregu i sigurimeve po ndjek rrugën e sistemit bankar, që kontrollohet në pjesën dërrmuese nga kapitali i huaj. Tregu i sigurimeve në vendin tonë, gjithsej nuk është më shumë 65 milionë euro, por duke qenë ende i pazhvilluar investitorët e shohin më perspektive ecurinë e tij e për pasojë edhe fitimin. Kështu ka ndodhur edhe me sistemin bankar, i cili në momentin e shitjes së Bankës së Kursimeve tek austriakët e Raiffeisen ishte totalisht i pazhvilluar. Mirëpo, pikërisht për shkak të moszhvillimit investitorët nuhatën fitime, të cilat në dekadën e fundit kanë qenë 40 për qind më të larta se, të bankave në Europën Përendimore. Tani e njëjta situatë po përsëritet edhe me tregun e sigurimeve. Për vitin 2010 shqiptarët paguanin mesatarisht më pak se, 20 euro prime sigurimesh për frymë, ndërkohë që në Austri mesatarja është afro 2 mijë euro. Tregu mbështetet kryesisht te sigurimet e detyrueshme apo gjysmë të detyrueshme, por, me sa duket, investitorët besojnë në potencialet e mëdha dhe të pashfrytëzuara të rritjes. Në katër vitet e fundit, dy kompanitë e mëdha austriake “Uniqa Group Austria” dhe “Vienna Insurance Group” kanë blerë tre kompanitë më të mëdha të sigurimeve në vend. Pas blerjes së “Intersig”, dy gjigandët austriakë zotërojnë pothuajse 70% të tregut. Duke marrë në konsideratë fatkeqësitë natyrore, si përmbytjet në dimër dhe zjarrët në verë, shqiptarët po ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë se, prona duhet siguruar.