E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në gjashtë vite, përdorimi i intentit nga 5 % rritet në 50%

Në Shqipëri interneti po shndërrohet nga dita në ditë në një element të domosdoshëm të jetës dhe aktivitetit të përditshëm. Ndërkohë Shqipëria përfiton nga axhenda dixhitale që Komisioni BE-së po zbaton në Ballkan. Pak njerëz në Shqipëri mund të përfytyronin 10 vjet më parë se po të klikonin në një buton mund të kishin virtualisht botën në duart e tyre: mund të ndanin dijet dhe informacionin edhe me cepin më të largët të botës, mund të argëtoheshin, mund të krijonin lidhje sociale dhe profesionale në nivel global. Ky përfytyrim është transformuar sot në një realitet. Shifrat zyrtare tregojnë se, vetëm para 6 vitesh Shqipëria kishte treguesit më të ulët në botë për nivelin e zhvillimit të shoqërisë së informacionit me një tregues prej vetëm 4,8% të përdorimit të internetit. Sot ky tregues është 50%. Genc Pollo, Ministër për inovacionin, Teknologjinë e informacionit dhe të Komunikimit thotë për programin shqip të Deutsche Ëelle-s se, Shqipëria ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në përdorimin e internetit nëse u referohesh përqindjeve të 5- 6 viteve më parë, për sa i përket shtrirjes, shërbimeve online dhe mënyrë sesi operojnë bizneset."

Megjithë këto shifra Shqipëria mbetet ende larg vendeve të BE lidhur me infrastrukturën për përdorimin e gjithë mundësive që ofron interneti dhe teknologjitë inovative. Këtë e pohon edhe vetë Genc Pollo: “Kemi ende mangësi në infrastrukturë dhe shumë për të bërë për të kapur standartet e vendeve më të përparuara”. Në përpjekjet e Shqipërisë për të kapur kohën e humbur në përdorimin e internetit dhe të teknologjive të informacionit dhe komunikimit ajo ka një aleat: Komisionin Europian, i cili ka një axhendë dixhitale për Europën. Pjesë e saj është dhe Ballkani Perendimor: Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë- Hercegovina, që kanë hyrë në procesin e integrimit europian. Rëndësia që BE i jep realizimit të kësaj axhende duket edhe në programin e tij financiar për hulumtime e inovacioneve në Teknologjinë e informacionit dhe Komunikimit: për periudhën 2011–2013 ka në dispozicion 2.8 miliard Euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›