E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bota është e pushtuar nga frika

Jetën dhe krijimtarinë e tij Wole Soyinka, afrikani i parë me ngjyrë që u nderua me çmimin Nobel për letërsi në vitin 1986, ia ka dedikuar dinjitetit njerëzor. Një shqetësim që i lexohet në të gjithë figurën e tij, në flokët e bardhë që i rrethojnë fytyrën e që ngjasojnë me një krifë.

Romancier, dramaturg, poet dhe kritik, Soyinka ka lindur në Abeokuta, në jugperëndim të Nigerisë. I ati ishte drejtor i një shkolle, e ëma një figurë e respektuar politike. Si shumë shkrimtarë të rëndësishëm nigerianë, edhe Soyinka u arsimua në Kolegjin Universitar të Ibadas. Në vitin 1954 shkoi në Angli dhe studio letërsinë angleze.

Në vitin 1998 ishte dënuar me vdekje nga regjimi diktatorial i Abacha Sani. Soyinka e ka shfrytëzuar letërsinë dhe krijimtarinë e tij në mbrojtje të të drejtave të njeriut, fushë në të cilën shënohet si një nga personalitetet më të rëndësishme. Ai është veprimtar i vendosjes së demokracisë në Afrikë dhe mbrojtës i idesë se “Perëndimi duhet të paguajë dëmshpërblime për krime të kryera ndaj popullit të Afrikës”. Një nga librat e tij, “Klimë frike”, prej pak ditësh ka ardhur edhe për lexuesit shqiptarë si botim i “OMBRA GVG”, përkthyer nga Mira Tuçi. Në fakt, ashtu si vetë autori e përshkruan në parathënie, ky libër ka nisur si një seri konferencash të mbajtura në vitin 2004 në Institutin Mbretëror të Londrës.

Wole flet për globalizimin, për regjimet, për një situatë frike që përshkon çdo vend, një tension që i mban të mbërthyer njerëzit nga frika e sulmeve terroriste apo nga përsëritja e mundshme e 11 shtatorit të kullave binjake. Shkrimtari pohon se nga platetë e universiteteve ka dëgjuar zëra që edhe i kanë kundërshtuar mendimet e tij, por ka ndier veçanërisht shqetësimin për nëpërkëmbjen e dinjitetit njerëzor. “Frika, arma e atij që do të mbjellë terror, vjen nga pasiguria, vjen nga fakti që e dimë se ka të çmendur krejtësisht të lirë që nuk mund t’i parandalosh, se nuk e di as se nga vijnë. Ata ekzistojnë dhe kauza e gabuar tek e cila besojnë është aktuale apo historike. Për shembull, një nga shpjegimet e çuditshme që dhanë terroristët që shkaktuan sulmet në hekurudhat spanjolle, lidheshin me ngjarje të ndodhura shekuj të shkuar.

Spanja, sipas tyre, nuk kishte kërkuar ende falje për disa gjëra që u kishin bërë myslimanëve. Ky grup personash që jeton në botën moderne, shikon shekuj pas për të gjetur motive për të futur dridhma te brezat e tanishëm, krejtësisht të pafajshëm. Sot jemi dëshmitarë të një ndryshimi të kahut dhe mënyrës se si shpërndahet frika. Kjo prirje nuk është zhdukur, madje është fuqizuar. I referohem Koresë së Veriut dhe Iranit, ku një teokraci totalitare po zë vendin e saj në mbarë botën dhe gjeneron forma të reja frike. Ka një lloj gare për të provuar vetveten kundër të gjithëve”, shprehet shkrimtari, i pyetur për konfliktet e shumta që gjenerojnë në botë.

Në këtë libër shkrimtari nuk i kursen kritikat për askënd, as për kamikazët palestinezë, as për ata irakianë. Është kundër antiabordistëve amerikanë që vrasin mjekët që kryejnë aborte, si edhe kundër autoriteteve fetare myslimane të Nigerisë së veriut që i ndalojnë besimtarët të vaksinojnë fëmijët kundër meningjitit. “Klima e frikës, e mbjellë nga gjysmështetet, shërben për të ruajtur pushtetet duke ushtruar kontroll mbi popujt. Një nga metodat më të rënda që shkel fort të drejtat njerëzore është nëpërkëmbja e dinjitetit njerëzor. Duke bërë këtë, ushqejnë një spirale të urrejtjes shumë më të madhe se ajo që shkakton varfëria apo ideologjitë”, thotë Soyinka. Një nga pyetjet që atij i drejtohet shpesh nuk mund të shmangë gjendjen në të cilën ndodhen sot disa popuj të botës. Përse rezistojnë ende shumë diktatura? “Ushtarakët janë një lloj kolonializmi i ri, për vetë faktin se nuk e kanë diskutuar me popullin sistemin e tyre të fuqisë. Në vendet ish-kolonialiste ka një prirje për të zhdukur atë që i takon së shkuarës, por në të vërtetë nuk është e mundur, sepse ka ndodhur sinkretizmi, pra kushtet janë vendosur”. E ndërsa gazetarët e pyesin se çmendon ai për fenomenin e korrupsionit, duke iu referuar kryesisht Afrikës, shkrimtari thekson se ky është një fenomen botëror, u përket të gjithëve. “A nuk është Greqia në këtë gjendje për shkak të korrupsionit qeveritar?”, përgjigjet ai. Për idetë e tij, Soyinka ka provuar të qëndrojë për 20 muaj i izoluar në qeli burgu. I shkëputur nga çdo kontakt njerëzor, i sulmuar vazhdimisht dhe pa asnjë mjet për të shkruar.

“Duhet të mundohesha të rezistoja dhe të përpiqesha të gjeja një mënyrë për të kontrolluar jetën time, në mënyrë që të mos isha i përulur ndaj agresioneve të jashtme. Këto ishin kushtet e mia: më sulmonin, isha i privuar nga librat, nga kontaktet njerëzore, nga mjetet për të shkruar, nga muzika. E gjithë kjo situatë, nëse nuk përpiqesha ta zotëroja, do të më bënte një krijesë pa vullnet. Vullneti ishte e vetmja mënyrë që unë të mbijetoja dhe të mundja pushtetin e tyre”, tregon shkrimtari për muajt e burgut, eksperiencë të cilën e ka përshkruar në një libër. Ai ka parë të shkelen të drejtat njerëzore në kohën e kolonizimeve, por edhe në epokën moderne. Ashtu siç ai vetë thotë, frika vetëm sa ka ndërruar ngjyrë. Që në vitin 1970, Wole Soyinka ka jetuar në mërgim. Shumë nga veprat e tij, komeditë dhe satirat politike, vihen në skenat më të rëndësishme të botës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›